Kim: KED të mblidhet brenda javës

Gjykata Administrative e Apelit pranoi padinë e Zhaklina Petos duke rrëzuar vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që e skualifikoi atë nga gara për në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi u mor mëngjesin e së hënës dhe tani do të jetë sërish KED që do të vendosë nëse Peto do të vazhdojë garën bashkë me Altin Binajn, Sonila Bejten dhe Aleksandër Tomën, që kandidojnë për vakancat e shpallura nga Presidenti i Republikës dhe Kuvendi. Menjëherë pas këtij vendimi reagoi edhe Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, teksa kërkoi që KED të mblidhet sa më shpejt për të vendosur mbi kandidaturat që synojnë Kushtetuesen.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të takohet këtë javë për të përfunduar vlerësimin dhe për të dërguar listën e kandidatëve në Presidencë dhe Parlament. Proceset duhet të respektohen, por jo të keqpërdoren. Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese të mos jetë funksionale deri më 31 Dhjetor. Është çështje vullneti. Udhëheqësit duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë

Të njëjtin qëndrim pati edhe Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

Është me të vërtetë kritike që KED të përfundojë vlerësimin e shpejtë të kandidatëve për vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese, duke u bazuar në opinionet e Komisionit të Venecias. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës Kushtetuese është një kusht kryesor për të filluar bisedimet e pranimit në Konferencën e Parë Ndërqeveritare

KED është mbledhur mesditën e së hënës, por në rendin e ditës parashikohet vetëm miratimi i procesverbaleve të mbledhjes së kaluar. Referuar kushtetutës për çdo vend vakant KED duhet të dërgojë Presidentit apo Kuvendit një listë me jo më pak se 3 kandidatë. Më pas organet e emërtesës brenda 30 ditësh duhet të vendosin për një nga kandidatët, në të kundërt ai që është renditur i pari nga KED emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Tv Klan