Në qytetin e Teanos në Italinë fqinje është mbajtur ditën e djeshme një manifestim në shenjë solidariteti për 27 – vjeçaren shqiptare e cila më 6 Maj u përdhunuar për orë me radhë në një kasolle në Prenestino, provincë pranë Romës, si dhe për ngritjen e alarmit sa i përket sigurisë së fëmijëve.

Të paktën 200 persona dolën në shesh, mes tyre edhe babai i viktimës, ish – profesori Vladimir Kosturi, ashtu sikurse edhe viktima e këtij sulmi.

Vetë 27 – vjeçarja, duke folur para të pranishmëve u shfaq e përlotur dhe e tronditur, ndërsa tha se ndihej shumë pranë Francesca Reggiani -t, e cila u vra pasi u përdhunua në Tor di Quinto në 2007 – ën.

“Ajo që më ka ndodhur është shumë e ngjashme me Francescën. Shumë më kanë akuzuar se po vetëekspozohem, por unë ftoj këto që ka pësuar dhunë që ta denoncojnë atë dhe ta bëjnë publike. Unë jam këtu dhe mund ta bëj, ndryshe nga Francesca, e cila fatkeqësisht nuk mundi ta bënte një gjë të tillë”,

tha e reja.

27 – vjeçarja B.Kosturi u rrëmbye dhe u përdhunua gjatë gjithë natës në një barake nga dy të rinj rom. Njëri prej tyre u arrestua vetëm pak kohë më vonë, ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim.

E reja gjendej pak metra larg nga shtëpia, kur dy të rinjtë e tërhoqën zvarrë dhe e morën me forcë për ta mbyllur në një barake, duke e përdhunuar gjatë gjithë natës.

Në mëngjes, duke përfituar nga gjendja e dehur dhe e përgjumur e agresorëve ajo arriti të largohej. /tvklan.al