Drejtori i antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, ka qenë prezent në operacionin për shpëtimin e Floresha Rashës dhe tre fëmijëve të saj, Amar, Emel dhe Hatixhe Rasha bashkë me të miturin Endri Dumanin. Ai është shprehur se shumë i lumtur për këtë arritje ndërsa pati një apel shumë të rëndësishëm për mediat.

Ai bëri thirrje që të transmetohen pamjet që Ministria e Brendshme ka regjistruar brenda kampit Al Hol për të treguar që asnjë shqiptar nuk meriton të jetojë aty.

“Çështja e sigurisë është çështje parësore dhe vetë ekipit që udhëtojnë në terren dhe kjo na bënte të ndërmerrnim hapa shumë të matur pasi misioni jonë nuk ishte thjeshtë për të shkuar në kamp, për të udhëtuar atje, por misioni kryesor ishte për t’u rikthyer me një rezultat pozitiv, që  unë them se e kemi arritur për ta pasur sot pasi hapat e tjerë do i ndjekim në vazhdim. Dua të përmend shumë shkurt është që do doja shumë që ato pamje që janë regjistruar dhe kemi parë në kampin Al Hol të transmetohen. Kjo për t’u treguar shqiptarëve që nuk kanë lidhje fare me atë jetë atje dhe kjo nuk është një jetë që shqiptarët e meritojnë atje. Ne do të përpiqemi t’i kthejmë që ata të jetojnë të lumtur siç u takojnë dhe siç dimë të jetojmë. Atje siç e përmendi konsulli është kampi i ferrit dhe jo kampi Al Hol”, tha Nano./tvklan.al