Bashkimi Evropian ka një plan për t’u kundërpërgjigjur ndaj tarifave të Presidentit amerikan Donald Trump, megjithëse do të preferonte të negocionte një zgjidhje.

“Ne jemi të hapur për negociata, por kemi edhe një plan të fortë për t’u hakmarrë nëse është e nevojshme. Do t’i vlerësojmë me kujdes njoftimet për të dhënë përgjigjen tonë”, është shprehur Ursula Von der Leyen.

Von der Leyen tha se ajo i kuptonte argumentet e SHBA-së se të tjerët kishin përfituar nga rregullat e tregtisë globale, duke shtuar se BE-ja kishte vuajtur pasojat gjithashtu. Megjithatë, ajo tha se tarifat amerikane do të nxisnin inflacionin dhe do t’i bënin fabrikat amerikane të paguajnë më shumë.

“Evropa nuk e ka nisur këtë përballje. Objektivi ynë është një zgjidhje e negociuar. Sigurisht ne do të mbrojmë interesat tona, njerëzit tanë dhe kompanitë tona. Dëgjoj amerikanët kur thonë se të tjerët kanë përfituar nga rregullat. Jam dakord. Edhe ne vuajmë nga kjo. Pra, le të punojmë për këtë. Por, tarifat në përgjithësi i bëjnë gjërat më keq, jo më mirë”, tha Von der Leyen.

Ndërkaq, Britania ka ende shpresë se çdo tarifë e vendosur nga Presidenti amerikan Donald Trump do të anulohet së shpejti, nëse të dyja palët mund të bien dakord për planin e një partneriteti të ri ekonomik. 

Strategjia agresive e tarifave të Trump-it po nxit frikën e një lufte tregtare globale, duke rrezikuar një reagim zinxhir të hakmarrjes nga partnerët kryesorë si Kina, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.

Klan News