Ish-zv.ministrja: Nuk kam kryer ndonjë shkelje ligjore apo ushtruar ndikim

Ish-zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda do të vazhdojë të qëndrojë nën masën e arrestit të shtëpisë.

Vendimi për të u dha nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Në arrest shtëpie u la edhe avokatja Majlinda Hasani. Nga burime të Klan News mësohet se Voda ka deklaruar se nuk ka kryer ndonjë shkelje ligjore apo ka ushtruar ndikim.

Kam respektuar në mënyrë rigoroze ligjin në ushtrimin e detyrës. Nuk ekzistojnë kushtet për caktimin e masës. Është i gabuar qëndrimi që rreziku për të shkatërruar provat apo për t’u larguar është prezumuar. Në çdo rast duhet të vërtetohen të gjitha pretendimet e prokurorisë për këto fakte e rrethana”, mësohet të ketë thënë ish zyrtarja.

Kjo e fundit ankimoi në Apel masën e sigurisë me pretendimin se nuk ekzistojnë kushtet ligjore.

Sipas dosjes hetimore, në cilësinë e zv.ministres së Brendshme, Voda ka përfituar 1 mijë euro, një aparat telefonik celular dhe një arkë peshk për të punësuar Florida Beun. Ajo u fundos nga komunikimet që kishin mes tyre avokatja Majlinda Hasani dhe Florida Beu. Në dosjen e prokurorisë së posaçme thuhet se hetimi ka nisur që në vitin 2019, për një tjetër procedim penal.

Klan News