Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Julian Meçen, krahun e djathtë të Plarent Dervishit.

Meçe u deportua nga Dubai disa kohë më parë dhe u soll në vendin tonë për t’u përballur me drejtësinë. Ky i fundit dyshohet si një autorët e ngjarjes së rëndë ku humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku dhe u plagos vetë Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho. Atentati ndodhi më 1 Nëntor 2019 tek mbikalimi i Shkozetit.

Deri në Gusht 2024, Meçe ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Meçe ka qenë një prej drejtuesve të bandës së Durrësit. Në Qershor 2019 në autostradën Tiranë-Durrës ndaj tij dhe Plarent Dervishajt u bë një atentat, ku u plagosën të dy./tvklan.al