Apeli i PPE: T’i hapen negociatat Tiranës dhe Shkupit

Posta

Apeli i PPE: T’i hapen negociatat Tiranës dhe Shkupit

19:35 11/10/2019

“Zgjerimi i Unionit, mjet për paqen në kontinent”

Pak ditë përpara vendimit të liderëve europianë për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Partia Popullore Europiane, që ka grupimin më të madh të deputetëve në Parlamentin Europian, bën thirrje për një vendim pozitiv për dy vendet.

Në një letër drejtuar krerëve unionit, kreu i PPE-së Joseph Daul rendit arsyet pse Tirana dhe Shkupi meritojnë hapjen e negociatave.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë përparim në lidhje me kërkesat për hapjen e negociatave. Teksa mbetet shumë për të bërë, hapja e negociatave është një hap i natyrshëm. Qytetarët e këtyre vendeve e meritojnë perspektivën europiane që është burim motivimi dhe vendosmërie për ato vende dhe gjithë rajonin për të vazhduar me reformat e mëtejshme për implementimin e sundimit të ligjit, forcimit të sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe garantimin e pavarësisë së medias”.

Për kreun e PPE-së, tani është momenti që hapja e negociatave të shërbejë si një sinjal i fortë për rajonin se BE i qëndron angazhimeve të saj për procesin e zgjerimit.

“Vendimi i javës së ardhshme është historik dhe vendimtar për të ardhmen e kontinentit. Rrugëtimi drejt anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jetë i gjatë, por ne duhet të qëndrojmë sëbashku dhe të mos e humbim këtë mundësi. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerët tanë historikë, gjeografikë dhe ekonomikë. BE edhe e paplotë deri kur rajoni të jetë pjesë e unionit”.

Vendimi për hapjen e negociatave merret në mbledhjen e javës së ardhme të Këshillit Europian.

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi