Në programin “Historia ime” në Tv Klan është trajtuar një tematikë e lidhur me datën e sotme dhe rifillimin e vitit të ri shkollor.

Bëhet fjalë për historinë e një vajze të vogël 10-vjeçare nga fshati Xibër, e cila e do shumë shkollën dhe mësimin, por për shkak të pamundësisë fizike të saj, e ka thuajse të pamundur të vazhdojë të ndjekë mësimin si bashkëmoshatarët e saj.

Gjatë intervistës në prani të dy prindërve është mësuar historia e kësaj vogëlushe.

Mirela Milori: Florina dhe Avniu janë prindërit që kanë sjellë në jetë Besianën dhe motrat dhe vëllezërit e saj. Sa fëmijë të tjerë keni?

Nëna e Besianës: Kam 4 fëmijë bashkë me Besianën.

Mirela Milori: Si është historia e Besianës? Ka lindur me këtë pamundësi apo kufizim fizik?

Nëna e Besianës: Besiana ka lindur me probleme dhe për 10 vite nuk ka ecur. Ka dëshirë të shkojë në shkollë, e kam dërguar mbi shpinë. Në klasën e dytë dhe të tretë, drejtoria na ka sjellë një mësuese ndihmëse tek shtëpia për dy ditë dhe tre ditë të tjera e çoja tek shkolla. Ka dëshirë të ecë si shoqet e saj. E kemi vizituar por nuk kemi mundësi për ta dërguar jashtë shtetit.

Mirela Milori: Sa larg është shkolla nga shtëpia?

Nëna e Besianës: Një orë ose një orë e gjysmë. E kam çuar mbi shpinë sepse nuk kemi kushte.

Mirela Milori: Si po e përballoni situatën me Besianën?

Nëna e Besianës: Me shumë vështirësi, e kemi të pamundur.

Mirela Milori: Nga se vuan Besiana, çfarë është kjo pamundësi fizike?

Nëna e Besianës: Kështu ka lindur, e kemi operuar kur ka qenë 4 muajsh, pas një viti e kemi futur në allçi, e kemi mbajtur 8 muaj ashtu që të ngrihej, por nuk mundi. Doktorët më kanë thënë të vizitohet jashtë shtetit, por ne nuk kemi patur mundësi. Ajo nuk kontrollon dot gjymtyrët e saj. Nuk i kemi bërë asnjë ndërhyrje sepse e kemi patur të pamundur.

Mirela Milori: Për momentin ajo që ne mund të ndihmojmë është të ndërhyjmë për mësuesin mbështetës dhe këtë do përpiqemi shumë ta realizojmë, që të paktën endërrën që ka Besiana për momentin që të vazhdojë shkollën, ta rivendosim. Për ndërhyrjen kirurgjikale, do shpresoja që ky emision mbase do bëhet një pikënisje e mbarë. Më e mira u bëftë. /tvklan.al