Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë të hënën në burg 39 të arrestuarit për trafik të njerëzve drejt SHBA-ve, Kanadasë dhe Anglisë.

Të arrestuarit gjatë operacionit të zhvilluar më 17 Mars apeluan masat e sigurisë “arrest në burg” dhënë nga Shkalla e Parë.

Në mesin e 39 personave për të cilët Gjykata e Apelit la në fuqi masën “arrest me burg” janë edhe 4 policë, me detyrë kontrollorë në Pikat e Kalimit Kufitar, Hani i Hotit dhe Qafë Thanë, të cilët kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer regjistrimin e shtetasve të kontrabanduar.

Në operacionin e muajit Mars u lëshuan 51 urdhërarreste për personat e përfshirë. 39 prej tyre u arrestuan në Shqipëri, ndërsa 12 të tjerë u shpallën në kërkim.

Sipas Prokurorisë, shqiptarët paguanin nga 7 mijë paund për të shkuar në Angli deri në 25-30 mijë dollarë për kalimin e paligjshëm drejt SHBA-ve dhe Kanadasë./tvklan.al