Apeli rrëzon kërkesën e familjarëve për lirimin e tyre

Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e bërë nga familjarët e Ervis Martinajt për të liruar nga sekuestro 34 pasuritë e tyre të bllokuara si rezultat i një hetimi pasuror ndaj 40-vjeçarit.

Familjarët pretendojnë se të gjitha bizneset dhe pronat në emrin e tyre dhe Martinajt justifikohen me burime të ligjshme dhe nuk ka arsye të sekuestrohen. Megjithatë për Apelin, masa e marrë nga Shkalla e Parë duhet të lihet në fuqi.

Gjithashtu Apeli vendosi të mos marrë në shqyrtim pjesën e ankimit të bërë në emër të vetë Ervis Martinajt, pasi prokura e përfaqësimit për avokatin është firmosur nga babai i tij, duke mos e konsideruar të ligjshëm përfaqësimin.

SPAK vendosi në sekuestro një kazino që ishte 100 përqind në pronësi të tij, si dhe disa shoqëri aksionere. Nga lista e sekuestrimeve rezultojnë edhe 9 shoqëri aksionere që Martinaj i ka në emrin e tij dhe të familjarëve.

Gjithashtu sipas vendimit të Gjykatës janë sekuestruar 5 automjete luksoze, toka, troje dhe ullishte si dhe apartamente në Kurbin, Tiranë, Fushë-Kuqe dhe në Dhërmi.

Ervis Martinaj u shpall në kërkim në Maj të 2022 nga Prokuroria e Posaçme si porositës i një ngjarje kriminale, ndërsa 4 muaj nga shpallja në kërkim, ai u denoncua i zhdukur nga familjarët dhe hetimet për fatin e tij ende nuk kanë dhënë rezultat.

Tv Klan