Veliaj vlerëson solidarizimin qytetarë

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka thotë se lëkundjet e tërmetit kanë ardhur në rënie duke treguar një stabilizim të situatës. Por ajo apelon që banorët të mos rikthehen në ndërtesat e dëmtuara deri në kryerjen e verifikimeve nga autoritetet.

Të njëjtin apel e bëri edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj gjatë inspektimit të magazinave të grumbullimit të ndihmave në Farkë.

“Nuk kemi nevojë për heroizma, por për sjellje gjakftohtë, pa panik, dhe me bindje të plotë ndaj autoriteteve që komunikojnë shtëpitë e pabanuara, ose inxhinierët që bëjnë verifikimet e tyre. Kjo është jetike! Nuk besoj se ka njeri me mend në kokë që do pranojë të rrezikojë dhe të këmbëngulë kundër vullnetit të Policisë dhe zjarrfikësve, për t’u futur në një pallat, ku në fakt alternativa është edhe më e mirë se shtëpia që po lë pas e që mund të jetë e dëmtuar”, tha Veliaj.

Në Tiranë do të shemben disa banesa, ekzistenca e të cilave përbën rrezik. Veliaj vlerësoi solidaritetin e treguar këto ditë dhe kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për të kontribuar me ushqime me skadencë afatgjatë në mënyrë që rezervat të jenë të mjaftueshme.

Tv Klan