Emisioni “STOP” transmetoi 4 ditë më parë masakrën mjedisore që ka kryer kompania “Euroteam”, e cila i hidhte mbetjet e rrezikshme spitalore në brigjet e lumit Erzen.

Por Ministria e Shëndetësisë ka reaguar vetëm sot nëpërmjet një deklarate për media, ku thuhet se është kërkuar informacion zyrtar nga Ministria e Mjedisit për këtë çështje dhe se do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e ligjshmërisë nga ana e institucioneve shëndetësore për trajtimin e mbetjeve spitalore.

Gjithashtu, mund të thuhet se Ministria e Shëndetësisë ia ka kaluar përgjegjësinë Ministrisë së Mjedisit, pasi kjo e fundit ka miratuar lejen për dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore për kompaninë Euroteam.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

“Nisur nga transmetimi i emisionit investigativ “STOP” në Tv Klan, mbrëmjen e 10 Korrikut 2017, që paraqet dëshminë e keqadministrimit të mbetjeve spitalore nga kompania “Euroteam”, sqarojmë si më poshtë:

Grumbullimi, transportimi, përpunimi dhe asgjësimi i mbetjeve spitalore kryhen nga organet kompetente shtetërore, personat juridikë, si dhe personat fizikë apo juridikë privat, që janë të pajisur me lejen përkatëse për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Leja e veprimtarisë së mësipërme miratohet nga Ministria e Mjedisit. Monitorimi i mbetjeve spitalore është pjesë e programit kombëtar të monitorimit të mjedisit dhe kryhet sipas kërkesave të tij.

Ministria e Mjedisit, si institucioni përgjegjës për dhënien e lejes së këtyre kompanive ka reaguar menjëherë, duke i hequr lejen kompanisë “Euroteam” (sipas informacioneve të dhëna në media).

Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar informacion zyrtar nga Ministria e Mjedisit lidhur me rezultatet e monitorimit të problematikës të përcjellë nga emisioni “STOP”.

Ministria e Shëndetësisë, me anë të institucioneve në varësi, ka monitoruar dhe do vazhdojë të monitorojë zbatimin e ligjshmërisë nga ana e institucioneve shëndetësore për trajtimin e mbetjeve spitalore.

Ambientalisti Sazan Guri ka reaguar ashpër për këtë masakër mjedisore dhe së bashku me gazetarin e dhunuar nga administratorja e kompanisë Euroteam, Mirela Topulli, kanë shkuar në vendngjarje.

“Kjo gjendje e këtyre shiringave të patrajtuara, super të rrezikshme, e theksoj fort, si djali i asaj që i hedh, si djali im apo djali jot o Saimir, më vjen keq që lodhesh shumë, apo djali i kujdo qoftë, edhe i atij kryeministri apo i atij kryebashkiaku, ja ku është situata shqiptare dhe kudo, në çdo qytet ke të bësh me mbetje super, super të rrezikshme! Kjo është e klasifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.”

Sazan Guri i bën apel prokurorisë lidhur me këtë çështje, duke u bazuar në Kodin Penal, neni numër 202 dhe 203 të kreut 4, ku specifikohet ndotja e ajrit dhe ujit, sepse për ndotjen e tokës sipas tij nuk interesohet njeri. Ai gjithashtu shprehet se këto mbetje të rrezikshme dëmtojnë natyrën, e cila mundohet të reagojë dhe të vetëmbrohet nga dykëmbëshi (njeriu).   

“Mund të ndodhë që një burrë të gënjejë, ndoshta një profesor mund të gënjejë, gjë që s’e besoj kurrë, por një kosh nuk gënjen kurrë! Ky është koshi i plehrave të spitalit!”

Ambientalisti i mirënjohur i bën po ashtu apel Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Shëndetësisë të heqin sa më parë mbetjet, sepse nesër do të jetë tepër vonë.

Saimir Kodra mbështet apelin e Sazan Gurit ndaj prokurorisë, duke thënë se duhet të hetohet ndikimi i këtyre mbetjeve në jetën e njeriut, si dhe kërkon sekuestrimin e pamjeve filmime të subjekteve, që ndodhen rreth e përqark lumit Erzen, sepse do të shohin qartë kamionat që i kanë transportuar mbetjet e rrezikshme spitalore për një periudhë të gjatë kohore. /tvklan.al