Ishte dënuar për trafik droge, do rigjykohet

Gjykata e Posaçme e Apelit prishi vendimin që dënoi me 12 vjet burgim, Astrit Balliun, e njohur edhe me emrin Astrit Avdylaj, për trafik narkotikësh si pjesë e një organizate kriminale dhe i kërkoi Shkallës së Parë ta rigjykojë atë.

Vendimi u prish edhe për shtetasin tjetër Fatos Llaftiu, i cili ishte dënuar me 3 vjet burgim për moskallëzim krimi në të njëjtën dosje të njohur si 339.

Në të dyja rastet, Apeli gjeti shkelje të procedurës së ndjekur nga Shkalla e Parë.

Gjykata e Apelit gjithashtu ndryshoi vendimin për 2 persona të dënuar më herët në këtë dosje, duke rënduar pozitat e tyre. Shtetasi Denis Llaftiu, i cili kishte marr pafajësi në Shkallën e Parë, u dënua nga treshja në Apel me 10 vjet burgim për prodhim dhe shitje të narkotikeve në kuadër të grupit kriminal.

Ndërkohë për shtetasin Jasim Kala, Shkalla e Dytë shtoi masën e dënimit në 12 vjet. Vendimi u la në fuqi i pacenuar për dy të pandehurit e tjerë, Iskender Sale dhe Xhemal Shala.

Të gjithë të pandehurit në këtë dosje u vunë në pranga në 2018, në kuadër të operacionit Vol-Vo 4, pasi ishte mbajtur në përgjim që nga viti 2016. Sipas Prokurorisë ata ishin të përfshirë në trafik narkotikësh me mjete lundruese drejt Italisë dhe shpërndarje të drogave të forta në Shqipëri, të cilat i fusnin nga Holanda.

Tv Klan