Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi vendimin për sekuestrimin e sendeve personale të Ajola Xoxës. Ishte gjyqtari Engert Pëllumbi i cili rrëzoi kërkesën e bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë hetimit, oficerët e BKH i sekuestruan Xoxës celularin dhe disa sende të tjera. Mbi të rëndojnë 3 akuza: korrupsion pasiv të kryer në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Fillimisht ndaj Ajola Xoxës u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Por më datë 12 Shkurt, Gjykata lehtësoi masën duke vendosur “detyrim paraqitje”. Bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës ka mohuar akuzat duke e quajtur procesin ndaj saj, si gjyq politik.
Në një reagim në Facebook, ajo e cilësoi skandaloze shifrën prej 870 mijë Eurosh që SPAK e akuzon për blerjet e fustaneve dhe bizhuterive. Xoxa deklaroi se kishte shpenzuar 75 mijë Euro blerje në 10 vite.
SPAK po heton nën masën “arrest në burg” edhe kryebashkiakun Veliaj i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ata përfituan para nga fondet e bashkisë apo kompani kontraktore që u injektuan në organizata dhe subjekte që kontrolloheshin nga Ajola Xoxa.
Klan News