Gjykata e Apelit ka shtyrë për në 26 shtator vendimin ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji, i cili është dënuar nga shkalla e parë me 1 vit burg për kallëzim të rremë në dosjen Babalja.

Seanca e kësaj të premte zgjati rreth 4 orë dhe në mbështetje të Salianjit ishin dhe disa deputetë demokratë. Gjatë gjyqit ai mohoi akuzën duke deklaruar se prokuroria nuk ka asnjë provë ndaj tij. Theksoi se ai ka bërë vetëm denoncim publik dhe se nuk ka bërë kallëzim ndërsa shtoi se nuk i njeh dhe nuk ka pasur komunikim me Albert Veliun dhe Alfred Alizotin. Avokati kërkoi pafajësinë ose riçeljen e procesit me një tjetër trupë gjykyese.

I gjithë ky proces sipas Salianjit, bëhet për t’i mbyllur gojën përballë denoncimeve të shumta që ka bërë ndaj mazhorancës. Por organi i akuzës mbajti të njëjtin qendrim, duke kërkuar që deputeti të dënohet me 1 vit burg.

Çështja e njohur publikisht si “Babalja” ndodhi më 14 Maj të vitit 2018. Nga selia e PD u denoncua një audio-përgjim ku pretendohej se implikohej në trafik droge Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit, mes tyre edhe Ervin Salianji.

Klan News