Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të lerë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për Ervin Salianjin dhe dënimin e tij me 1 vit burg për çështjen “Babalja”.

Kujtojmë se deputeti demokrat u dënua nga Shkalla e Parë për kallëzim të rremë në lidhje me përgjimet në Maj të vitit 2018.

Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin.

Në sallën e gjyqit, Salianji shoqërohej nga kolegët e tij deputetë të Partisë Demokratike.

Gazetarja Glidona Daci raportoi se më i revoltuari nga të gjithë ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili akuzoi një nga gjyqtarët se për të ushtruar detyrën e tij në Gjykatën e Lartë bëri dhënien e këtij vendimi.

“Bardhi ka qenë i revoltuar, ka bërtitur në sallën e gjyqit pasi në momentet e para nuk u kuptua qartë në momentin kur u dha vendimi sepse tha “gjykata vendosi mospranimin e ankimit të bërë nga Fredi Alizoti dhe menjëherë pas kësaj tha lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë” dhe nuk u kuptua qartë as nga të pranishmit në sallë, pasi ishim të hutuar se çfarë donte të thoshte. Kur filluam të analizojmë lënien në fuqi të vendimit pa përmendur as zotin Salianji, as zotin Olldashi dhe as Albert Veliun u kuptua që la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë”, raportoi Daci.

Ndërkohë Daci raporton se pas vendimit Salianjit “po i dridheshin duart, po pinte ujë dhe po përpiqej të ruante qetësinë”.

“Edhe gjatë fjalës së tij përballë gazetarëve gjatë gjithë kohës zotit Salianji po i dridheshin duart edhe pse ai e cilësoi veten si të dënuarin e parë politik pas 30 viteve demokraci”, raportoi Daci.

Ervin Salianji

Çfarë ndodh tani me Salianjin?

Pas vendimit do duhet që Ervin Salianji të shkojë në qeli pasi vendimi i Gjykatës së Apelit është i ekzekutueshëm.

siç mësoi gazetarja Glidona Daci prokurori ka nxjerrë urdhrin e ekzekutimit të vendimit. Më pas kjo do t’i dërgohet komisariatit përkatës për ta marrë e për ta dërguar Salianjin në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.

Nga aty, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vendosë se ku do të vuajë dënimin Salianji.

Ervin Salianji është deputet dhe ka imunitet, por çfarë parashikon ligji?

Neni 71, pika 2, shkronja dh, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Megjithatë pavarësisht kësaj, gazetari i politikës Enkel Xhangoli raporton se për t’i hequr imunitetin Salianjit duhet konfirmim nga Këshilli i Mandateve.

Për këtë duhet që të dërgohet në Kuvend vendimi dhe urdhri i ekzekutimit të dënimit.

Salianji: Dënim politik

Pas daljes nga Gjykata e Apelit, deputeti i PD Ervin Salianji deklaroi se vendimi i marrë sot është krejtësisht politik.

Ai hodhi akuza ndaj Partisë Socialiste, veçanërisht ndaj ish-ministrit Fatmir Xhafaj duke theksuar se ai e dërgoi vendimin “me vulë përmes avokatit të tij”.

Vendimmmarje politike, dënim politik. Dënim i parë për agjitacion e propagandë në 32 vite. Unë nuk kam bërë një betejë për veten, për interesa personale, për të vjedhur, për trafik droge, për të vrarë, por një betejë kundër maskarenjve në këtë vend. Ky është akti i parë, në të ardhmen do keni procese të tjera gjyqësore mamale. Jo babale! Kjo nuk është asgjë. Jam  i nderuar dhe kam një medalje që shndrit në karrierën politike. Do i hyjmë procesit me themel”, deklaroi demokrati.

Salianji: Do ta bëj fushatën nga burgu

“Do ta bëj fushatën nga burgu”.

Kështu u shpreh deputeti demokrat Ervin Salianji, pasi mori vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila la në fuqi dënimin me 1 vit burg të dhënë nga Shkalla e Parë, për akuzën e shpifjes në lidhje me dosjen “Babale”.

“Betejën do ta vijoj, me të gjitha format. Do të ndjekim të gjithë procedurat e tjera gjyqësore. Kjo është një vendimmarrje që në gjykatat shqiptare nuk ka asnjë gjasë që të ndryshohet. Fatmir Xhafa është njeriu që përdoret nga Edi Rama kundër përfaqësuesve ndërkombëtar e do që të kapë SPAK, apo ishujt e pakapur ende prej tij në gjyqësor. Kjo ishte vendimmarrja. Procedura nuk varet nga unë. Unë do të jem në dispozicion, do të jem këtu. Kam pasur për të zhvilluar një takim në Bruksel, do t’i anuloj të gjitha”, tha ai.

Ervin Salianji

Çfarë ndodhi në seancë?

Në nisje të seancës pati debate. Shkak u bë një vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda të asaj kohe që pushoi hetimet për trafik droge për Geron Xhafajn, vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Mbrojtja e Salianjit argumentoi se vendimi nuk mund të administrohej si provë në këtë fazë ku ndodhet procesi pasi vendimi është sjellë me postë nga avokati i Xhafajt.

Madje kjo solli edhe reagimin e vetë Salianjit.

“Të vijë një vendim në këtë fazë, është e paligjshme”, mësohet të jetë shprehur ai sipas asaj që raportoi gazetarja Glidona Daci e cila ndodhej në sallën e gjyqit.

Kjo ka sjellë edhe reagimin e vetë trupës gjykuese që i kanë bërë thirrje Salianjit të bëjë kujdes me etikën.

“E vërteta është më e kujdesshme se etika”, iu përgjigj sërish deputeti.

Ndërkohë avokati i Geron Xhafajt theksoi se vendimi është sjellë në përputhje me ligjin.

Pas kësaj Gjykata e Apelit vendosi të çelë shqyrtimin gjyqësor dhe të administrojë si provë vendimin, që një javë më parë u bë temë debati në seancë. Më pas vendosi që të të tërhiqet për vendim përfundimtar.

Ervin Salianji në seancën gjyqësore. Shoqërohet nga deputetët demokratë. Pas tij, Gazment Bardhi, Xhelal Mziu dhe Luan Baçi
Ervin Salianji në seancën gjyqësore. Shoqërohej nga deputetët demokratë. Pas tij, Gazment Bardhi, Xhelal Mziu dhe Luan Baçi

Gjyqi “Babalja”

Në lidhje me këtë çështje, gjyqtari Artan Gjermeni i Gjykatës së Shkallës së Parë dënoi me 1 vit burg Salianjin më 18 Dhjetor 2019. Për kallëzim të rremë u dënua me 2 vite burg edhe Fredi Alizoti, i cilësuar si dëshmitari i rremë në audiopërgjim.

Albert Veliu, i njohur me nofkën “Babalja”, u dënua me 3 vjet e 5 muaj burg, për veprat penale kalim i paligjshëm i kufirit dhe kallëzim i rremë. Ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi, Gjykata vendosi që dënimin me 6 muaj burg ta konvertonte me 100 orë punë.

Në atë kohë, deputeti Salianji paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit dhe asaj të Strasburgut, pasi sipas tij vendimi ndaj tij ishte mafioz dhe i urdhëruar politikisht./tvklan.al