Kompania amerikane Apple ka ndaluar shitjen online të iPhone dhe produkteve të tjera të saj në Turqi për shkak të zhvlerësimit që ka pësuar monedha turke Lira.

Shitja e produkteve online të Apple në Turqi nuk është mbyllur përfundimisht, por ky shërbim është pezulluar përkohësisht për shkak të paqëndrueshmërisë ekonomike.

Faqja online e Apple është e aksesueshme në Turqi dhe klientët vetëm mund të shikojnë këto produkte, por nuk mund të blejnë.

Lira turke është zhvlerësuar për shkak të disa politikave financiare të diskutueshme nga ana e Presidentit të vendit, Erdogan.

Vetëm të martën, Lira pësoi rënie me 15%. Gjatë këtij viti, monedha turke ka humbur 45% të vlerës së saj.

Nuk dihet saktësisht se cila do të jetë politika që do të ndjekë Apple lidhur me pezullimin e shitjeve online në Turqi të produkteve të saj dhe sa do të zgjasë ky vendim. /tvklan.al