iPhone pritet që të nxjerrë një përditësim të software, IOS 13.5. Por çfarë veçorie do të përmbajë ky përditësim dhe si lidhet me situatën e koronavirusit?

Sipas një raporti të ‘TechCrunch’, përditësimi i software në iPhone është i lidhur pikërisht me elementin e sigurisë së Face ID. Duke u nisur nga fakti që gjatë 2 muajve të fundit qytetarët në të gjithë botën përdorin maska për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe kjo e bën të pamundur që iPhone të njohë fytyrën e përdoruesve, Apple ka menduar pikërisht për këtë gjë.

Përditësimi i software në versionin IOS 13.5 do të bëjë të mundur që iPhone të shmangë automatikisht procesin e Face ID për t’u shkyçur, në rastet kur përdoruesit mbajnë maskë në fytyrë. Në të tilla raste, iPhone do të kalojë automatikisht në procesin e shkyçjes përmes kodit 6-shifror në mënyrë manuale, duke anashkaluar procesin e Face ID.

Sipas ekspertëve të teknologjisë, kjo është një risi pozitive, pasi përdoruesit e iPhone do të shmangin heqjen e maskës nga fytyra me qëllim që telefoni i tyre të njohë tiparet për Face ID. Përditësimi në IOS 13.5 do të mundësojë kalimin direkt tek vendosja e kodit 6-shifror në rastet kur përdoruesi mban të veshur maskë, gjë që do të evidentohet automatikisht nga iPhone.

Aktualisht përdoruesit e iPhone që kanë veçorinë e Face ID janë të detyruar të presin deri sa telefoni i tyre të mos verifikojë dot tiparet e fytyrës në rastet kur mbajnë maskë, dhe më pas u kërkohet që të shkyçin aparatin përmes kodit 6-shifror.

Mbetet për t’u parë nëse ky përditësim i iPhone do të jetë edhe në softwaret e tjerë që do të pasojnë IOS 13.5. /tvklan.al