Apple ka hequr mijëra aplikacione për lojërat e fatit nga App Store i saj në Kinë.

Gjiganti i teknologjisë nuk konfirmoi raportet ku thuhej se kishte tërhequr 25,000 aplikacione, por në një deklaratë kompania tha se “aplikacionet e lojërave të fatit janë të paligjshme dhe nuk lejohen në App Store në Kinë”.

Ky vendim vjen pas kritikave nga televizionet shtetërore në Kinë mbi mungesën e filtrimit të materialeve të ndaluara.

Sipas BBC, Apple aktualisht ofron më shumë se 1.8 milionë aplikacione në Kinë.

Heqja e aplikacioneve të lojërave të fatit është raportuar gjerësisht na mediat kineze të cilat thonë se është kryer një “heqje në shkallë të gjerë e aplikacioneve ilegale që shisnin bileta lotarie dhe që ofrojnë shërbime të lojërave të fatit”.

Nuk është hera e parë që gjiganti i teknologjisë është kritikuar nga mediat shtetërore kineze për ofrimin e aplikacioneve të paligjshme në App Store-t e saj.

Apple gjithashtu është akuzuar se nuk po bën mjaftueshëm për të filtruar përmbajtje të ndaluara në shërbimin e saj iMessage.

Sulmi më i fundit i medias vjen në një kohë të ndjeshme për kompanitë amerikane që veprojnë në Kinë, mes shqetësimeve rreth pasojave të luftës tregtare midis dy ekonomive më të mëdha të botës./tvklan.al