Me 1 dozë shmang vdekjen dhe nevojën për shtrim në spital

Me vetëm një dozë, vaksina e firmës Johnson & Johnson shmang 100% vdekjet nga infektimi me Covid-19. Kjo është ndër arsyet kryesore që autoriteti për ilaçet dhe ushqimit miratoi për përdorim urgjent, vaksinën e kësaj firme, që bëhet e treta që e merr këtë leje pas firmave Pfizer/BioNTech dhe Moderna.

Nga të dhënat e testeve klinike të analizuara nga autoriteti amerikan i barnave FDA, vaksina Johnson është megjithatë 66% efektive, çka sipas shpjegimeve nënkupton se kjo vaksinë mund të parandalojë infektimin ose të lehtësojë rastet e infeksioneve nga Covid-19 me nivelin e imunitetit që krijon në çdo 66 persona mes 100 të vaksinuarve. Pjesa tjetër mund të zhvillojë edhe infeksione më të përparuara, por që nuk kanë nevojë për trajtime spitalore.

Testet klinike për këtë vaksinë u kryen tek mbi 44 mijë persona në mbarë globin, kryesisht në SHBA, Afrikën e Jugut dhe Brazil. Për më tepër vaksina mund të ruhet në temperatura të thjeshta frigoriferike nga 2 deri 8 gradë celsius në afatin më të gjatë të mundshëm deri më tani, për 3 muaj.

Kjo vaksinë me një dozë, mund të përshpejtojë procesin e vaksinimit në të gjithë botën. Nisma Covax ku bën pjesë edhe Shqipëria ka porositur 500 milionë doza, ndërsa porositës janë edhe Britania e Madhe, Bashkimi Europian dhe Kanadaja.

Tv Klan