Temperaturat e larta nuk duket të jenë problem për Arabinë Saudite. Pasi janë të vetëm në garë për të pritur Kupën e Botës 2034, organizatorët pranojnë se ky kompeticion mund të zhvillohet në çdo kohë të vitit. Fillimisht u përfol për një Botëror dimëror siç ndodhi në Katar në vitin 2022, megjithatë sauditët mund të ruanin strukturën tradicionale. Jemi gati të përballemi me të gjitha mundësitë. Ka shumë teknologji të reja që lejojnë stadiumet të ftohen ose ajrosen, për të mos përmendur faktin që shumë qytete në mbretëri gëzojnë një atmosferë shumë të këndshme gjatë verës” pranoi presidenti i Federatës Saudite të futbollit.

Të kënaqur për mundësinë e pritjes së Kupës së Botës 2034 u shfaqen edhe qytetarët saudit. Kualifikimi do të ishte automatik për ta, teksa mikpritjen e një turneu të tillë e përshkruajnë si një ‘ëndërr’. Zyrtarisht Arabia Saudite nuk është zgjedhur ende për të pritur këtë kompeticion, më të rëndësishmin për futbollin.

FIFA deri më tani ka marrë vetëm shprehje interesi dhe do ta vendosë në votim në vitin 2024. Qeveria e futbollit Botëror ka vendosur se kompeticioni i vitit 2034 të zhvillohet në zonën e Azisë dhe Oqeanisë, me Arabinë Saudite që është e vetmja që ka shfaqur interes, falë edhe tërheqjes së Australisë. Botërori i vitit 2026 do të mbahet në Kanada, SHBA dhe Meksikë, ndërsa ai i katër viteve më pas në Marok, Portugali dhe Spanjë, duke shtuar gjithashtu ndeshjet e njëqindvjetorit të Kupës së Botës në Uruguaj, Argjentinë dhe Paraguaj.

Klan News