Revista: Mbresa të jashtëzakonshme nga iso-polifonia e Shqipërisë,e cila po shton interesin e turistëve të huaj

Revista prestigjoze “AramcoWorld” me qendër në Hjuston të SHBA i ka kushtuar një artikull Festivalit Kombëtar Folklorik që mbahet në Gjirokastër.

Mes personazheve të shumtë, dhe njohësve të iso-polifonisë, gazetari Tristan Rutherford në artikullin e tij, sjell magjinë e këtij festivali, të muzikës popullore, dhe sidomos të iso-polifonisë.

Personazhi kryesor i këtij artikulli është Arian Shehu, të cilin autori e trajton në mënyrë mitike, edhe për shkak të veshjes së tij popullore, e cila është shekullore.

Shehu, i njohur si kumbari i këngës iso-polifonike, ngjitet në skenë mes duartrokitjeve të publikut. Ai e hap festivalin me nota të larta të një kënge popullore, që daton më shumë se 2 500 vjet më parë.

Në artikull shkruhet se më shumë se 1 200 artistë dhe mijëra dashamirës të muzikës popullore udhëtojnë anembanë globit për të marrë pjesë në Festivalin Kombëtar Folklorik 2023, një festë tetëditore e iso-polifonisë shqiptare dhe muzikës popullore që organizohet në Gjirokastër, “qytetin e lashtë të gurtë” në Shqipërinë e Jugut, çdo pesë vjet.

Pjesë e këtij artikulli është edhe kompozitori dhe etnomuzikolog shqiptar, i cili drejton Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vasil Tole i cili ngre shqetësimin se  

muzika folklorike që pasqyron historinë e Shqipërisë po harrohet nga brezat e rinj.

Historianët besojnë se kjo traditë daton që nga ilirët, më shumë se 1 000 vjet më parë. Sipas Toles, “Polifonia është jetike për kulturën shqiptare”.

Lufta për të mbrojtur iso-polifoninë filloi në mesin e viteve 2000. Duke kuptuar se forma ishte në rënie, Tole përgatiti një dosje që përfshinte çdo aspekt të stilit muzikor, nga teknikat e deri tek historia e tij, duke ndihmuar në sigurimin e një vendi për iso-polifoninë shqiptare në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s deri në vitin 2008.

Ai e krahasoi atë me xhazin në Amerikë. “Të dyja janë forma të përbashkëta të muzikës improvizuese,” tha Tole për revistën kulturore amerikane. Statusi i UNESCO-s rriti profilin e muzikës dhe turistët filluan të shfaqen në qytete të specializuara në iso-polifoni, siç është edhe Gjirokastra e cila gjatë këtij viti ka patur një fluks të lartë turistësh. Publikimin e këtij artikulli e ka përshëndetuar edhe kryeminsitri Edi Rama, i cili në një status në rrjetet sociale shkruan se “Gjirokastra pushton ballinën e numrit të fundit të revistës kulturore amerikane “AramcoWorld” me përshkrimet për qytetin e gurtë turistik, me magjepsjen nga muret e kështjellës, e deri te rrugicat e kalldrëmta në të cilat jehon isoja e këngës polifonike përmes portreteve të shkëputura nga Festivali Folklorik.

Klan News