Në mbyllje të detyrës si ministër i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj u shfaq përpara mediave duke bërë bilancin e dikasterit të drejtuar prej tij përgjatë vitit që lamë pas, duke e cilësuar 2018-ën të suksesshëm në përmbushjen e reformave.

“Kemi rritjen më të lartë ekonomike në rajon, 4.5%, shifrat flasin vetë. Papunësia sot është në nivelin më të ulët historik, 12.2%, borxhi 63.6%. Qeveria Rama nuk krijoi borxh të ri. Këtë e kam krenari politike, personale, profesionale. Ulja e borxhit do të vazhdojë”.

Vetes i njohu jo pak merita nga ana profesionale dhe personale në përmbushjen e angazhimeve si ministër i Financave, por gjithsesi thotë se e ka një peng.

“S’jam krenar që nuk çova dot borxhin në nivelin e 60 % dhe shpresoj që pasardhësi im ta çojë në 55%”.

Zhvlerësimin e Euros, ndryshe nga Banka Qëndrore preferon të mos e shohë vetëm si efekt negativ në ekonominë shqiptare.

Ahmetaj foli edhe për negociatatat lidhur me tarifat e udhëtimit nga Aeroporti “Nënë Tereza”.

“Negociatat për aeroportin e Rinasit janë drejt zgjidhjes”.

Leximin e shifrave e ka të ndryshme nga opozita kur i referohet bizneseve të reja në vend.

“Janë 11 mijë e 123 biznese të reja neto në 2018 dhe në tre vitet e fundit janë 38 mijë biznese të reja neto”.

Ministri Ahmetaj paralajmëroi se deri në fund të 2019-ës qeveria do të ezaurojë të gjitha detyrimet e prapambetura, duke shënuar njëherazi edhe një shifër rekord të investimeve të huaja në vlerën e 1 miliard Eurove.

Tv Klan