Ish zv.kryeministri: Të konsiderohet i paligjshëm, duhej marrë leje nga Kuvendi

Një javë pasi agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontroll në vilën e bashkëjetueses së  ish zv.kryeministrit Arben Ahmeaj, ky i fundit ka ngritur një padi në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Paraditen e 9 Marsit tre përfaqësues të BKH, iu prezantuan Erjola Hoxhës, bashkëjetueses së Ahmetajt duke i treguar një mandat kontrolli për banesën dhe aparatet kompjuterike. Arben Ahmetaj dhe përfaqësuesit e tij ligjorë, e kanë konsideruar të paligjshëm këtë veprim.

Sipas padisë, Ahmetaj, Hoxha dhe fëmija i ardhur në jetë nga bashkëjetesa e tyre duhen konsideruar një familje. Me këtë arsyetim ata ngrenë pretendimin se për kontrollin e ushtruar nga agjentët e BKH, duhej marrë më parë një leje nga Kuvendi i Shqipërisë.  Ata pretendojne se është shkelur Konventa e Të Drejtave të Njeriut, neni 73 paragrafi i 2 i Kushtetuestës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 288\1  i Kodit  të Procedurës Penale. 

Në padi renditen në mënyrë të detajuar veprime e kryera nga hetuesit. Ata kanë marrë nga puna rreth orës 10 të paradites Erjola Hoxhën, duke i komunikuar se kanë një vendim gjykate për të ekzekutuar.  Agjentët e BKH-së i kanë komunikuar se celulari i saj ishte nën sekuestro dhe i kanë këruar të gjitha fjalëkalimet. 

Bashkëjetuesja e Ahmetajt është nisur së bashku me 3 agjentët, nga Tirana, në drejtim të Gjirit të Lalëzit, për të kryer kontollin e banesës.  Rruga ka zgjatur 1 orë e 20 minuta dhe avokatët pretendojnë se asaj i është privuar liria duke qënë se nuk i është dhënë celulari që të komunikonte me Ahmetajn. Hetuesit e BKH i kanë dhënë mundësinë që ajo të fliste me Ahmetajn nga aparatet e tyre celularë.  Menjëherë sapo kanë mbërritur tek vila në Lalëz hetuesit kanë nisur kontrollin.

4 kanë kryer kontollin e banesës ndërsa 2 të tjerë e kanë mbajtur nën mbikëqyrje bashkëjetuesen e Ahmetajt. Ish-ministri pasi ka marrë informacionin ka mbërritur tek vila rreth orës 12:20.  Ahmetaj pretendon se agjentë ishin në fund të kontollit kur ai ka arritur atje.  Mbajtja e Erjola Hoxhës nën mbikqyrje dhe mos lejimi i saj për të komunikuar me bashkëjetuesin është cilësuar si cenim i dinjitet njerëzor nga avokatët.  Në përfundim, Arben Ahmetaj kërkon që nga Gjykata të cilësohet i paligjshëm kontrolli i banesës.

Klan News