Gjykata e Apelit në qytetin e Hagës, Holandë, vendosë të mos ekstradojë Arben Frrokun, i dënuar në vendin tonë me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-komisarit të policisë Dritan Lamaj.

Gjykata holandeze ka argumentuar se procesi gjyqësor zhvilluar në Shqipëri, ka pasur probleme dhe vendimi mund të ketë qenë i ndikuar politikisht. Lajmi u konfirmua edhe nga avokati i Frrokut në Tiranë, i cili tha se kërkesa e prokurorisë shqiptare është rrëzuar. Tashmë Arben Frroku do të qëndrojë në Holandë si njeri i lirë.

Tv Klan kontaktoi zyrtarisht edhe me Prokurorinë e Përgjithshme, e cila deklaroi se nuk ishte ne dijeni të ketij vendimi. Arben Frroku, sipas policisë dhe prokurorisë shqiptare, në 24 Shkurt 2013 vrau Komisarin Dritan Lamaj. Ai u arrestua në Selanik pas ngjarjes dhe u ekstradua në Shqipëri ku u perball në Gjykatën e Krimeve të Rënda me akuzën e vrasjes. Më 3 Prill të vitit 2015, Shkalla e Parë vendosi ta shpallë të pafajshëm, pasi provat e prokurorisë nuk bindën gjykatësit.

Ai u la i lirë menjëherë, ndërsa prokuroria ankimoi vendimin. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda më 29 Qershor 2015 rrëzoi Shkallën e Parë duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Por Arben Frroku nuk u gjet në adresën e tij nga policia shqiptare pasi ishte arratisur. Në Mars te 2016 ai u arrestua në Holande me dokumente greke të falsifikuara me identitetin e Renato Tsepa. Prej kesaj kohe ai zhvilloi disa procese gjyqësore në Holandë, ku kërkonte që të mos ekstradohej pasi në Shqiperi i ishte nënshtruar një procesi të parregullt gjyqësor.

Tv Klan