Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Arben Imami jep dorëheqjen nga posti i Ministrit të Shtetit për Reformën Institucionale. Nëpërmjet një kërkese drejtuar kryeministrit Majko, Imami parashtron arsyet e largimit që sipas tij janë thjesht të karakterit personal. Mesa duket një bursë studimi në SHBA ka detyruar Imamin të lërë karrigen e ministrit në të cilën ai është ulur që në ’97 së bashku me kabinetin Nano.

Kulmi i karrierës së tij shënohet me hartimin e miratimit të Kushtetutës më 22 Nëntor të ’98 ku së bashku me republikanin Godo, drejtuan komisionin për hartimin e dokumentit të ri themeltar të Shtetit. Ndërkohë sipas liderit të Aleancës Demokratike Neritan Ceka largimi i paralajmëruar i Imamit nuk na nxiton ta zëvendësojmë para fillimit të punimeve të parlamentit dhe Kongresit të socialistëve për më tepër që kjo ministri tani e ka humbur funksionin.

Ndërsa struktura e koalicionit ka nënvizuar Ceka për Tv Klan, do të trajtohet në kuadrin e ristrukturimit të qeverisë. Në rikompozimin e ri të qeverisë së koalicionit pritet që Partia Aleanca Demokratike në këmbim të postit të ministrit të Reformës Institucionale të marrë një tjetër ministri./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego