Opinion– Arben Malaj, një nga figurat e njohura politike në vend ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” më datë 28 Mars të vitit 2002.

Në atë periudhë, Malaj mbante postin e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Kriza në Partinë Socialiste, ndarja e saj në dy grupe dhe kriza e sistemit bankar në Shqipëri ishin temat e intervistës së Malajt përballë gazetarit Blendi Fevziu.

“Problemi kryesor që është në këtë moment është në bazat e kryesisë së partisë dhe natyrshëm problemet lindin në strukturat drejtuese të PS. Çështja është që problemet duhet të prezantohen. Është e natyrshme që të gjithë të kërkojnë që gjithçka të bëhet më mirë. Këtë kërkon edhe opinioni publik. Ballafaqimi i koncepteve ose kthehet në një programim të ri ose në konflikte duke manipuluar elementë grupesh apo vështirësish. Nga zhvillimet 10-vjeçare të Partisë Socialiste natyrshëm ka pasur probleme, por ajo që dua të theksoj është që deri në momentin që konflikti Nano-Meta u bë i ashpër funksionimi brenda PS ka qenë i tillë që mazhoranca brenda PS e ftonte pjesën tjetër për të shprehur edhe bashkë-ekzistencën pa konflikte. Pas rimandatimit për herë të dytë të Metës, disa nga mbështetësit e tij e nxitën në të kundërtën, aq sa u bë problem dhe po konsiderohej krizë”, tha Malaj.

Ai po ashtu tha se krizat në sistemin bankar janë fillimisht psikologjike, pasi bankat kanë sistem kontrolli të përditshëm.

“Krizat në sistemin bankar janë fillimisht psikologjike sepse i vetmi autoritet që kontrollon bankat, të cilat janë ndryshe nga piramidat kanë një sistem kontrolli të përditshëm. Këtë obligim e ka banka qëndrore, pra ato mbikëqyren. Shqetësimi që ka lindur nga disa depozitues kërkon një sqarim më të plotë. Ligji ka për detyrë të mbrojë depozituesit e vegjël, por kjo është duke u përdorur politikisht për të nxitur debate”, tha Malaj. / tvklan.al