Arbër Çekaj, pronar i kompanisë “Arbri Garden”, i arrestuar në Gjermani për sasinë rekord prej 613 kilogramë kokainë, kërkon azil politik në shtetin gjerman. Avokati mbrojtës i Çekajt, Maks Haxhia, ka konfirmuar kërkesën për azil të klientit të tij.

Sasia prej 613 kilogramësh kokainë u gjet e fshehur në Shkurt të vitit të kaluar në një kontenier që transportonte banane, ndërsa Çekaj është pronar i kompanisë që porositi kontenierët nga Kolumbia. Çekaj u shpall në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare, ndërsa u arrestua në një provincë të Dyseldorfit në Gjermani, në Maj të vitit të kaluar.

Hetimet për këtë rast po ndiqen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që ka kërkuar edhe ekstradimin e Çekajt drejt Shqipërisë. Por pala gjermane ka refuzuar ekstradimin, me argumentin se Çekaj është person nën hetim në Gjermani për raste të tjera të trafikut të drogës.

Pas kapjes së kokainës në banane në magazinën e 42-vjeçarit në Maminas, u arrestuan shoferi i kamionit Armando Pezaku dhe menaxheri i kompanisë “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj. Këta të fundit kanë mohuar akuzat dhe janë shprehur se nuk kanë pasur dijeni për drogën. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Arbër Çekaj nga Gjermania.

Tv Klan