Njihuni me Brixhilda Shqalsin, shqiptaren, artisten shumëdimensionale që ngadalë po depërton në industrinë italiane të filmit. Dhe është kjo e fundit, kinemaja, që e sjellë në Tiranë nën kësulën e aktores kryesore në filmin “Arbëria” të regjisores italiane Francesca Olivieri. Pas projektimit në kinematë e vendit fqinj, filmi që i prezanton publikut italian, historinë e arbëreshëve, pati premierën shqiptare në mbrëmjen e së Dielës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dea.

Për 22-vjeçaren që Shqipërinë e la bashkë me familjen 13 vite më parë, “Arbëria” që në kurikulumin e saj numërohen disa realizime kinematografike, ishte përballja me një histori të padëgjuar më parë nga ajo.

Në Tiranë e shoqëron regjisorja që Brixhildën e përzgjodhi me të parën për të rrëfyer historinë e Aidës, stilistes së famshme në Evropë që kthehet në vendlindje pas vdekjes së të atit dhe zbulon rrënjët e saj arbëreshe, kulturën dhe traditën e jashtëzakonshme të një komuniteti disa-shekullor.

“Gjyshja ime është arbëreshe, jam ndeshur që në fëmijëri me gjuhën, traditën, kulturën. Vështirësia ishte të sillja një film në gjuhën arbëreshe dhe t’ja propozoja publikut, tashmë është sfidë e kaluar. Ka shumë kërkesa nga italianët që jetojnë në veri dhe qendër. Duket si histori lokale, por në fakt është historia e diasporës, jo vetëm e arbëreshëve, por edhe e hebrenjve, e çdo komuniteti që i është dashur të lë atdheun”,

tha regjisorja Francesca Olivieri. Regjisorja thotë se “Arbëria” është mirëpritur nga publiku italian.

Tv Klan