Emanuela Rusta kryesore në duelin Benfica-Barcelona, Edjena Kapxhiu asistente

Për herë të parë në histori, një arbitre shqiptare do të drejtojë një ndeshje të UEFA Champions League për femra. Emanuela Rusta do të gjykojë takimin Benfica-Barcelona, e vlefshme për raundin e gjashtë të UEFA Champions League, ndërsa një nga ndihmëset e saj do të jetë, Edjena Kapxhiu në rolin e asistentes së parë. Ndeshja e femrave mes Benficës dhe Barcelonës shtë programuar të luhet në Portugali më datë 31 janar, prej orës 21:00.

Ky është një tjetër lajm i shkëlqyer dhe një sukses për arbitrimin shqiptar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, që marrin një vlerësim të tillë nga UEFA. Kjo vërteton edhe një herë rritjen e arbitrimit shqiptar dhe përfaqësimin në nivele të larta të skenës së futbollit europian e botëror.

Emanuela Rusta dhe Edjena Kapxhiu janë të pajisura me stemën e FIFA-s, ndërsa në qershorin e vitit 2023 Rusta u bë arbitrja e parë femër e promovuar nga Komiteti i Arbitrave në UEFA, duke u ngjitur në kategorinë e parë.

Deri më tani, Emanuela Rusta dhe Edjena Kapxhiu kanë drejtuar vetëm në sfidat kualifikuese, ndërsa të mërkurën në mbrëmje do të shkruajnë historinë duke drejtuar një ndeshje grupi në UEFA Champions League për femra.

Klan News