Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka zhvilluar një vizitë të panjoftuar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Shkodrës.

Burime për tvklan.al bëjnë me dije se Ardi Veliu nuk kishte njoftuar për këtë vizitë në Policinë e Shkodrës.

Sipas të njëjtave burime, shkak i vizitës së Ardi Veliut dyshohet të jetë zhdukja e 3 të rinjve në Malësinë e Madhe që prej datës 3 Tetor dhe kontrolleve pa asnjë rezultat të policisë për gjetjen e tyre.

Tre kushërinjtë, Vilson Çutaj 37 vjeç, Klement Pepaj 21 vjeç dhe Danjel Pepajn 25 vjeç kanë humbur kontaktet pasditen e së shtunës. Dyshohet se zhdukja e tyre ka lidhje me pazaret e drogës. Dyshimet e policisë janë se ata mund të jenë vrarë. Prindërit e Klement Pepaj kanë shfaqur dyshime tek kushëriri i tyre, Danjel Pepaj, sepse sipas dëshmive të disa banorëve, ai është parë me armë dhe janë dëgjuar të shtëna.

Emisioni “Uniko” nga Spartak Koka publikoi variantin se tre personat janë zhdukur për vjedhjen e rreth 50 kilogramëve kanabis. Sipas këtij varianti, Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj kishin mbjellë dy parcela me hashash me rreth 50 kg kanabis dhe dyshonin se ua kishte vjedhë kushëriri i tyre Danjel Pepaj.

Kur kanë kaluar 3 ditë nga zhdukja e tre kushërinjve dhe policia nuk ka mundur t’i gjejë, Ardi Veliu ka shkuar në Shkodër për të ndjekur nga afër kërkimet për gjetjen e 3 të rinjve. /tvklan.al