Policia ka marrë përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit dhe kontrollit të sigurisë së aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Deri tani sigurinë e perimetrit të brendshëm e ka patur kompania e sigurisë e kontraktuar nga koncesionari i Rinasit.

Ardi Veliu, drejtor i Policisë së Shtetit, tha pas takimit me drejtuesit e firmës që ka në operim aeroportin, se hyrja e policisë në ambientet e brendshme është dakordësuar edhe me koncesionarin.

Ne jemi duke punuar edhe për rritjen e parametrave të sigurisë, të cilat pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Policisë së Shtetit, në momente të caktuara nuk kemi gjetur bashkëpunimin nga kompania që është përgjegjëse. Nisur nga kjo, sot shefi i komisariatit të Policisë së Rinasit merr edhe përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit, kontrollit dhe bashkëpunimit me kompaninë e sigurisë në aeroport, për të bërë të mundur kthimin e sigurisë në aeroport. Për këtë do kërkojmë çdo ditë rritjen e parametrave të sigurisë”

, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Në takimin e zhvilluar autoritet ranë dakord që të ndryshojnë edhe procedurat për rritjen e elementëve të sigurisë në aeroport.

“Patëm një bisedë me TIA, që ka të bëjë me ndryshimin e procedurave për rritjen e sigurisë në këtë aeroport. Kemi dhënë vazhdimisht rekomandime, elementët e sigurisë do të ndryshojnë, do jetë policia bashkë me kompaninë e sigurisë së aeroportit që do të kenë përgjegjësinë e kontrollit”

, u shpreh zv/ministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli.

Sipas autoriteteve publike, kompania koncesionare nuk ka qenë në gjendje që të reflektojë për të rritur nivelin e sigurisë që kërkohet aktualisht në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza”.

Tv Klan