“Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht”

Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, së bashku me Zv/drejtoren e Përgjithshme Aida Hajnaj, pritën e zhvilluan një takim me Zaida Çobon, nënën e 15-vjeçarit i cili u dhunua nga policia.

Në një postim në rrjete sociale, Veliu shprehet i keqardhur për komentet e bëra në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, se djali i saj vinte nga një familje jo e mirë, gjë të cilën e argumentoi me një video ku Çobo kishte qenë duke luajtur në një film dhe në dorë mbante një pistoletë. Veliu thotë se ndjesën e tij publike dëshironte që t’ia bënte Çobos personalisht.

“Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike. Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj. Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes). Po ashtu nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment. Ndjesë edhe njëherë!”, u shpreh Veliu pas bisedës.

Zaida Çobo e ka paditur Ardi Veliun në gjykatë. Ajo e akuzon kreun e Policisë së Shtetit për cënim të nderit, dinjitetit dhe publikimin e të dhënave personale dhe kërkon dëmshpërblim në vlerën e 1 milionë lekëve./tvklan.al