Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu zhvilloi një vizitë në Itali ku u takua me zyrtarë të policisë italiane.

Drejtori i Sigurisë Publike, njëkohësisht Shefi i Policisë italiane Prefekti Franco Gabrielli, vlerësoi rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit, veçanërisht arritjet në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.

Ardi Veliu gjithashtu zhvilloi një takim në Drejtorinë e Policisë Kriminale me Prefektin Nicolino D’ Angelo, Zëvendësshefi i Policisë italiane dhe Drejtor Qendror i Policisë Kriminale.

Në fokus të diskutimeve mes tyre ishte mbi të gjitha forcimi i bashkëpunimit sidomos mes dy policive kriminale të dy vendeve, me qëllim shkëmbimin e informacionit në kohë reale, bashkëpunimin dhe bashkërendimin në realizimin e operacioneve të përbashkëta, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Kreu i Policisë së Shtetit u prit edhe nga Prefekti Antonio Rizzi, takim i cili u zhvillua në Drejtorinë Qendrore të Antikrimit. Gjatë këtij takimi u bisedua për çështje konkrete me qëllim identifikimin dhe krijimin e linjave të përbashkëta të hetimeve për kapjen e personave të kërkuar që i fshihen drejtësisë, njohjen e teknologjive dhe procedurave lidhur me hetimet shkencore. U diskutua edhe për krijimin e strategjive të përbashkëta dhe zhvillimin e politikave të përbashkëta për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar transnacional.

Veliu mori mbështetjen e plotë të Drejtuesve më të lartë të Policisë italianë për Policinë Shqiptare, si në logjistikë dhe për trajnime të strukturave të caktuara të policisë.

/tvklan.al