Letër Tushës: Largimi si gjyqtar nuk më pengon

Dy muaj pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaroi të përfunduar mandatin si anëtar i Gjykatës së Lartë, ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani kërkon të jetë sërish pjesë e këtij këshilli deri në fund të ketij viti. Aktualisht ai vazhdon të jetë pjesë e sistemit gjyqësor, si anëtar i Gjykatës Administrative të Apelit.

Në një letër drejtuar kreut aktual të KED, Vitore Tushes, Dvorani argumenton duke ju referuar Kushtetutës pas hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të këtij institucioni se nuk ka asnjë parashikim që të ndalojë të qenurit anëtar nëse gjatë periudhës 1-vjeçare që zgjat mandati, funksioni i tij në sistemin gjyqësor ndryshon.

“Kushtetuta nuk përmban ndonjë rregullim të posaçëm e të shprehur dhe as nuk delegon për rregullim më të hollësishëm me ligj, si mundësinë e zhvillimit të ndonjë procedure tjetër shorti përtej atyre datave të caktuara të muajit dhjetor të çdo viti kalendarik, as edhe ndonjë rregull tjetër në lidhje me rastet kur anëtarët dhe anëtarët zëvendësues të zgjedhur me short, për motive të ndryshme, ndryshojnë funksionin e tyre gjatë vitit kalendarik”.

Anëtarët e KED zgjidhen me short nga kreu i shtetit për një mandat 1-vjeçar me të drejtë rinovimi dhe ky organ parashikohet të drejtohet nga një nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Duke qenë se Dvorani ishte i vetmi gjyqtar i kësaj gjykate që e kaloi filtrin e Vettingut, e drejtoi KED-in gjatë 2019 dhe mori një mandat dhe për vitin 2020 deri kur KLGJ në muajin Qershor vendosi ta cilësojë të përfunduar mandatin e tij pas zgjedhjes së 3 gjyqtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë nga kreu i shtetit.

Tv Klan