Ish-Guvernatori i BSH mes 34 kontribuesve në librin për rrugëtimin drejt BE

Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani është përzgjedhur si një nga 34 kontribuesit për librin elektronik “Fytyrat e Konvergjencës”, projekt i përbashkët mes Komisionit Europian dhe Institutit të Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

Në raportin e tij 5-faqësh në këtë libër, Fullani flet për politikat ekonomike dhe aspiratën e Shqipërisë për t’iu bashkuar familjes europiane. Ish-Guvernatori thotë se hapi i parë që Shqipëria ka bërë për t’u afruar me Bashkimin Europian, ishte bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 1991.

“Akti i parë i konvergjencës europiane, në vitin 1991, në kujtesën time, ishte mbështetja që FMN i dha vendit për financimin e bilancit të pagesave me jashtë. Që nga ai moment, Shqipëria është angazhuar në një proces të shpejtë transformimi drejt ekonomisë së tregut dhe anëtarësimit në BE. Reformat strukturore të ndërmarra që nga fillimi i këtij tranzicioni kanë sjellë një proces ndryshimi të konsiderueshëm politik, ekonomik dhe social, që ka pasur si rezultat një rritje thelbësore të standarteve të jetesës. Reformat e hershme kishin për qëllim krijimin e ekonomisë së tregut dhe morën rrugë nën drejtimin e FMN duke u ankoruar në dy procese themelore, integrimin europian dhe anëtarësimin në NATO. Këto reforma, shpesh edhe të dhimbshme, përfshinin heqjen e mbështetjes financiare nga ndërmarrjet shtetërore pa asnjë fuqi financiare, liberalizimin e çmimeve, privatizimin, reformën e pronësisë mbi tokën, si edhe thellimin dhe zgjerimin e tregjeve e demokratizimin e shoqërisë”, shkruan Ardian Fullani.

Reformat dhe politikat financiare të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, për ish-Guvernatorin Fullani janë një tjetër faktor i rëndësishëm drejt kësaj rruge. Orientimi i politikave të BSH drejt modelit të Bankës Qëndrore Europiane, ka luajtur një rol pozitiv në këtë aspekt.

“Institucionet e Shqipërisë dhe funksionimi i tyre u dizenjuan rreth procesit të integrimit evropian dhe institucioneve evropiane. Kjo është ilustruar më së miri në rastin e Bankës së Shqipërisë, objektivat, qëllimet, instrumentat e politikave, modeli i organizimit dhe i qeverisjes të së cilës u bazuan intesivisht në modelin e Bankës Qëndrore Evropiane. Theksoj shembullin e Bankës së Shqipërisë sepse mendoj se suksesi i procesit të konvergjencës varet nga zbatimi i reformave strukturore që lejojnë ekonominë të funksionojë me efikasitet, duke promovuar në këtë mënyrë konvergjencën politike, sociale dhe ekonomike drejt BE-së. Kjo do të thotë që secili vend dhe institucionet e tij duhet të miratojnë standardet që rrjedhin nga acquis communautaire dhe kode të tjera ndërkombëtare të pranuara (siç janë rregullat e Bazelit), të kombinuara me hapa energjikë për të përmirësuar ekonominë, shoqërinë, kulturën dhe mjedisin”, shprehet ish-Guvernatori i BSH.

Duke marrë shkas edhe nga refuzimi i fundit i vendeve të BE-së për të hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Ardian Fullani thekson se disa aktorë të Bashkimit Europian kanë humbur interesin për rajonin. Humbja e besimit tek BE po shkakton emigrimin e qytetarëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, asaj shtrese të cilën ish-Guvernatori Fullani e konsideron si “pjesën më të arsimuar dhe më vitale”, duke çuar drejt humbjes së fuqisë punëtore dhe kapitalit njerëzor.

“Për më tepër, aktorë të caktuar në BE duket se kanë humbur interesin për rajonin. Çdo tërheqje nga zgjerimi, do të dëmtonte bazën mbi të cilën është ndërtuar progresi drejt integrimit dhe konvergjencës në rajon. Edhe më keq, pas krizës, duke synuar të rregullonin çështjet e tyre të brendshme, autoritetet rregullatore të BE-së kanë vendosur kërkesa shtrënguese për grupet e BE-së në rajon që rrisin kërkesat e kapitalit dhe koston e të bërit biznes, edhe kur ato merren me qeveritë qëndrore dhe bankat qëndrore. Këto politika paraqesin një fenomen, i cili kundërshton rolin integrues dhe stabilizues që partnerët tanë kanë luajtur deri më tani në Evropën Jug-Lindore.

Lodhja, euroscepticizmi dhe një humbje e përgjithshme e shpresës po fitojnë terrene dhe në rajon, duke çuar në rrjedhje të kapitalit humannga rajoni në BE. Largimi i pjesës më të mirë,më të arsimuar e me vitale po redukton burimin mëtë çmuar të fuqisë punëtore dhe kapitalit njerëzor, duke dëmtuarsistemet arsimore dhe shëndetësoretë rajonit, por mbi të gjitha vetë burimin e rritjes ekonomike e të zhvillimit social. Shpresa e humbur në integrim, do të ngadalësojë në mënyrë të konsiderueshme e të pashmangshme konvergjencën në planin afatgjatë”.

E megjithatë, Ardian Fullani është shpresëplotë se ëndrra e shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë si Europa, do të realizohet.

“Për hir të vendeve të rajonit dhe vetë BE-së, shpresojmë që politikanët në Bruksel do ta mbajnë gjallë procesin e integrimit. Integrimi me BE ka qenë me rëndësi të madhe për vendet dhe shoqëritë e rajonit, duke gjeneruar shpresë për prosperitet afatgjatë dhe një të ardhme brenda një shtëpie evropiane pa kufij. Vendet tona mund të bëhen një forcë shtytëse e këtij integrimi, duke sjellë energji dhe motivim të ri në BE për të vazhduar procesin. Unë kam besim se kjo do të ndodhë, sepse të gjitha rrugët në Ballkan të çojnë në Evropë”.

Libri elektronik “Fytyrat e Konvergjencës” është një përmbledhje esesh nga 34 personalitete që kanë dhënë kontributin e tyre ndër vite për vendet që janë anëtarësuar në BE që prej vitit 2004, si dhe në procesin e përafrimit me familjen europiane të shteteve si rasti i Shqipërisë apo vendeve të tjera në rajonin e Ballkanit. /tvklan.al