Ardit Gjebrea viziton familjen Caci në Thumanë: Zoti e di sesi kemi shpëtuar

Ardit Gjebrea viziton familjen Caci në Thumanë: Zoti e di sesi kemi shpëtuar

16:28 01/12/2019

Gjebrea-kryefamiljarit: Me të ardhurat nga “Kënga Magjike”, brenda 6 muajve ti do kesh një shtëpi të re

‘E diela Shqiptare’ në Tv Klan vjen ditën e sotme me një program krejtësisht ndryshe, kushtuar tërësisht të prekurve nga tragjedia e ditës së martë, ku si pasojë e tërmetit kanë humbur jetën 51 persona.

Ardit Gjebrea ka shkuar në Thumanë për të parë nga afër situatën dhe për të vizituar personat e prekur nga tërmeti.

Fatmir Caci tregon tmerrin e përjetuar natën e tërmetit dhe thotë se është një mrekulli nga Zoti, që ai dhe familja e tij janë shëndoshë e mirë.

Fatmir Caci: Atë natë kemi parë tmerr. Isha vetëm me gruan në shtëpi, ra tërmeti i parë dhe i thashë gruas mos lëviz dhe na zuri gjumi për së dyti. Duke rënë suvaja mbi krevat, neve pastaj duke dalë. Llogarit kemi qenë shtrirë, kur filloi të binte suvaja filluam të dilnim. Janë akoma sipër krevatit, copat e suvasë.. Kur kemi dalë nga dera ka rënë kulmi me llaç. Sa kemi dalë ne, që jemi larguar ka rënë kulmi në tokë. Kulmi është 5-6 kile.. Zoti e di sesi kemi shpëtuar, nuk e dimë. Kjo ka qenë një mrekulli për neve. Pastaj filluam të marrin njerëzit tanë në telefon. Kur morëm vesh për pallatet që kishin rënë atëherë u tmerruam më keq. Unë akoma e përjetoj, njerëzit kanë hyrë tek shtëpia e vëllait, kam futur gruan dhe gocën, unë akoma nuk kam hyrë në shtëpi natën, as tek shtëpia e vëllait jo. Nuk e di. Vëllai më thoshte dje: Hajde hyr në shtëpi, unë nuk guxoja të hyja, edhe pse ishte plot me njerëz. Edhe më duket çdo minutë sikur lëviz prap… Nuk e di, por do kalojë“.

Ardit Gjebrea: Unë sot nuk kam ardhur vetëm, por kam ardhur me disa miq shumë të mirë dhe kemi ardhur për të dhënë një kontribut. Të gjitha gjërat duhen bërë siç duhet, që do të thotë për të bërë një shtëpi duhen specialistët që janë duke ardhur, janë miqtë e mi që nuk më kanë lenë vetëm. Erdhëm pamë zonën dhe vendosëm që të japim kontribut për një familje. Ju e dini që ne organizojmë një aktivitet që quhet “Kënga Magjike”. Në fillim po mendonim mos e bënim këtë aktivitet, por më pas u mblodhëm të gjithë së bashku dhe thamë: Ne do këndojmë për të ndërtuar. Që kështu nga “Kënga Magjike”, nga të ardhurat e biletave, brenda 6 muajve t’i do kesh një shtëpi të re.

Fatmir Caci: Faleminderit shumë Ardit, edhe kënga nuk ndalohet asnjëherë se pa këngë nuk ka jetë… Ndoshta s’më besoni, por jam shumë i gëzuar për këtë që po bëni, por jam shumë i hidhëruar për shokët e mi.

Ardit Gjebrea: Unë jam mirënjohës të gjithë këngëtarëve sepse kur iu komunikova që ne këtë vit do ta bëjmë Këngën Magjike për këtë qëllim, ata janë shumë të lumtur. Ky komunitet dhe ky aktivitet që do të gjenerojë këto të ardhura, unë shpresoj që publiku ta mbushë Pallatin e Koncerteve sepse kanë një motiv më shumë për të ardhur, jo vetëm për t’u kënaqur me festivalin, por edhe për të kontribuar. /tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi