AREA: Vendimi për ngrirjen e hidrocentraleve nuk është ligjor

Shoqatat e bizneseve, të shqetësuar për klimën e investimeve

Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të ngrirë kontratat koncesionare të HEC-eve të vegjël, ka shqetësuar Shoqatën Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme, AREA, që përfaqëson pjesën më të madhe të këtyre investimeve. Ky vendim, sipas tyre, është tërësisht bllokues, aq më tepër që vjen nga një institucion që konsiderohet si partner.

 “Shoqata shpreh shqetësimin dhe pakënaqësinë  e saj për komunikime  të tilla nga Qeveria Shqiptare, ndërkohë që  sipas Kontratave Koncesionare të nënshkruara me Shtetin Shqiptar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është partneri dhe garanti i këtyre kontratave.”

Edhe Organizatat e sipërmarrësve në Shqipëri janë të shqetësuar për mënyrën se si po vepron qeveria për të pezulluar të gjitha kontratat e hidrocentraleve që janë në operim “në bllok”, pa bërë më parë një analizë të shkeljeve që ato kanë kryer. Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se “ngrirja” e kontratave të qindra kompanive private në fushën e energjisë vetëm përmes një deklarate për shtyp, cënon rëndë parimet ligjore të një shteti.


Ndërsa Gjergj Buxhuku, administrator i “Konfindustria”-s, thotë se deklarata zyrtare me terma “jo – ligjore” siç është fjala “ngrin” dhe “skanim”, jo vetëm që çorientojnë bizneset që operojnë në këtë fushë, por bëhen precedent i rrezikshëm që sipërmarrësit të ankimojnë në gjykatë këtë vendim, nga i cili mund të përfitojnë edhe bizneset që janë vërtet në shkelje.

Komuniteti i biznesit thotë se vendime të tilla sjellin një klimë armiqësore për investitorët, shqiptarë dhe të huaj.

 “Deklarata të tilla kundrejt investimeve koncesionare, krijojnë baza për të cënuar sigurinë juridike  të Koncesionarëve, projekte me investitorë  vendas dhe të huaj, prishin stabilitetin e atyre që janë në prodhim dhe krijojnë një frymë mosbesimi për investime të ardhshme në këtë fushë”.

Janë gjithsej 344 hidrocentrale që ende nuk kanë përfunduar, zbatimi i kontratave të të cilave po skanohet nga grupi i punës i ngritur nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Vendimin e marrë në datën 24 janar, ministrja Belinda Balluku e argumentoi me shkeljet ligjore, mjedisore dhe vonesat që disa investitorë po bëjnë në ndërtimin e HEC-eve.

Tv Klan

Kategori
EkonomiTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*