Inaugurimi i Arenës Kombëtare, i parashikuar për këtë pranverë, mund të mos jetë gati as në Shtator, kohë kur Kombëtarja shqiptare do të presë Islandën në ndeshjen e kthimit, e vlefshme për kualifikueset e europianit. Presidenti i Federatës së Futbollit Armand Duka gjatë një inspektimi në këtë impiant nuk ngurroi të shfaqte shqetësimin e tij.

“Ne i kemi vënë objektiv kompanisë që duam të luajmë në Shtator dhe me të vërtetë e kemi shumë të domosdoshme të luajmë në Shtator në këtë stadium jo vetëm sepse duam ta shijojmë stadiumin e ri, duam të kemi kushte sa më të mira për spektatorin, por duam të arrijmë më shumë rezultat në praninë e më shumë spektatorëve dhe me një atmosferë akoma më të mirë. Kështu që do bëjmë të gjitha përpjekjet dhe kompania gjithashtu po bën të gjitha përpjekjet, por nuk mund të jemi shumë të sigurt për Shtatorin”.

Disa muaj më parë, Federata e Futbollit njoftoi se stadiumi do të inaugurohej me ndeshjen kundër Moldavisë, ndërsa tashmë teksa kanë kaluar fare pak ditë nga fitorja e kuqezinjve në Elbasan Arena, vjen një tjetër shtyrje. Nëse nuk do te jetë gati për në Shtator, inaugurimi mbetet për në muajin Nëntor, kur kombëtarja do të luajë kundër Andorras dhe Francës në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Evropianin 2020.

Tv Klan