Dekretin e tij për kthimin për rishqyrtim në parlament të amendimeve në Kodin Elektoral, Ilir Meta e ka shoqëruar me argumente të shtjelluara, në një raport prej 81 faqesh, që në thelb tregojnë se ndryshimet në Kod, që erdhën si domosdoshmëri pas ndryshimeve kushtetuese, jo vetëm shkelin marrëveshjen e 5 Qershorit, por dhe Kushtetutën.

Për Presidentin janë shkelur disa dispozita të rëndësishme të neneve të dakordësuar në Këshillin Politik. Në marrëveshjen e arritur falë faktorit ndërkombëtar, sipas këshilltarëve të kreut të shtetit, lejohen koalicionet parazgjedhore, të cilat mund të regjistroheshin si subjekte më vehte për të kandiduar me listat shumëemërore, ndërsa në ndryshimet e bëra në mënyrë të njëashme, koalicionet parazgjedhore lejohen vetëm me listë shumëemërore unike.

Po ashtu, në këndvështrimin juridik të Presidencës, kandidatëve u mohohet e drejta e ankimimit individual, por kjo është në vullnetin e subjektit. Një shkelje kushtetuese sipas tyre, që pasohet dhe diskriminimi i partive të vogla me ndryshimin e pragut elektoral dhe zhbalancimit të konvertimit të votave në mandate.

Pasoja e këtij ndryshimi do të jetë reduktimi i pluralizmit politik parlamentar, sipas Metës, aq më shumë në kushtet kur Kryetari i Partisë Socialiste përmes forcës dhe keqpërdorimit të veprimtarisë së Kuvendit, përpiqet të vendosë se kush forcë politike duhet të ekzistojë e kush jo dhe kjo e bërë në mënyrë të mirëstudiuar për të nxjerrë jashtë ndikimit politik disa parti.

Një tjetër akuzë e rëndë e bërë nga kreu i shtetit për shumicës është dhe ajo se ka parashikuar me ligj favorizimin e deputetëve aktualë ilegjitimë, të cilët mund të regjistrohen vetëm me një vërtetim të Kuvendit në zgjedhje dhe jo duke mbledhur firmat e nevojshme të mbështetësve, edhe pse për Metën janë në mënyre aksidentale në parlament. E gjitha kjo, sipas Presidentit, është bërë nga Rama në këmbim të votave të marra për amendimet e miratuara në 5 Tetor, çka ai e cilëson si korrupsion legjislativ që duhet të hetohet penalisht. Edhe fakti se ndryshimet erdhën pasi Presidenti kishte dekretuar datën e zgjedhjeve për Metën është një tjetër shkelje.

E duke qenë se Gjykata Kushtetuese ende nuk është funksionale për të gjykuar mbi këto ndryshime, Meta justifikon kërkesën drejtuar Komisionit të Venecias. Mbledhja me e afërt e të cilit mund të mbahet në muajin Dhjetor të këtij viti.

Gjithsesi, Kryeministri ka deklaruar se do t’i miratoj pas asnjë ndryshim në parlament amendimet, por pritet ende reagimi i shumicës pas argumenteve që shoqërojnë dekretin.

Tv Klan