Mbrojnë vendimin për krijimin e qeverisë së Avdullah Hotit

Zyra e Presidentit të Kosovës ka dorëzuar komentet në Gjykatën Kushtetuese pas kërkesës së LVV-së për vlerësimin e kushtetueshmërisë së dekretit të Presidentit me të cilin kandidati i LDK-së i është propozuar Kuvendit për Kryeministër.

Zyra e Presidencës njofton se presidenti e ka nxjerrë këtë dekret pas konsultimeve me partitë politike dhe ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij dhe standardeve të përcaktuara në akt-gjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

Komentet i ka dërguar në Kushtetuese edhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka thënë se pret që Kushtetuesja të vendosë në favor të drejtësisë kushtetuese dhe promovimit të demokracisë në vend.

“Dorëzuam në Gjykatë Kushtetuese komentet në emër të grupit parlamentar të LDK-së dhe po ashtu disa kolegë deputetë kanë dorëzuar komente me rastin që ka të bëjmë me masën e përkohshme. Por presimin gjykimin final besojmë se do të kemi gjykim të drejtë”.

Ai po ashtu ka treguar se janë në fazën finale të planit qeverisës.

“Jemi në fazën finale të përfundimit të planit qeverisës, jemi në përfundimin e paketës ekonomike që pritet të aprovohet në ditët e para të qeverisë së re. Kryeministri Hoti është i gatshëm të marrë përsipër trajtimin e këtyre çështjeve”, shtoi Gashi.

LDK-ja po synon të qeverisë vendin pas shkarkimit të qeverisë Kurti. Por pas dekretimit që presidenti i ka bërë kandidatit të LDK-së pas 5 letrave me radhë që i kishte dërguar fillimisht LVV-së për emrin e mandatarin, kjo e fundit është ankuar në Kushtetuese dhe madje deri në vendimin final kishte kërkuar edhe pezullimin e dekretimit.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dekretimin deri më 29 Maj kur edhe pritet të merret vendimin final, ndërsa ka pasur afat deri më sot të dorëzohen komentet për këtë çështje.

Tv Klan