Këngëtarja vazhdon të jetë në krye të “Billboard Hot 100”

Ariana Grande duket se po i gëzohet gjithnjë e më shumë vendit të parë që vijon të mbajë në klasifikimin muzikor “Billboard Hot 100”.

Por këtij suksesi i shtohet edhe projekti muzikor që ajo ka nxjerrë së fundmi. Kënga “34+35”, videoklipi i së cilës ngjason me një film të shkurtër fantastiko-shkencor, është pjesë e albumit të ri të këngëtares me titull “Positions”.

Edhe pse ka vetëm një ditë që është publikuar ky projekt muzikor numëron mbi 16 milionë klikime në Youtube. E veçanta e kësaj kënge është se autori që ka shkruar tekstin është një kantautor me prejardhje shqiptare i quajtur Albert Stanaj.

Stanaj ka performuar në shumë vende në të gjithë Amerikën dhe në Evropë. Ai ka tërhequr vëmendjen e shumë personazheve të njohura, si të Kim Kardashian e cila në shumë raste ka shpërndarë në rrjetet sociale disa prej këngëve të tij.

“34+35”, e cila shumë shpejt pritet të kthehet në hit është realizuar me regji të Julien Christian Lutz, i cili në të kaluarën ka punuar me yje të tillë si: Drake, Kanye West dhe Jay-Z.

Albumi “Positions” që kur u publikua i solli këngëtares suksese të jashtëzakonshme. Ai i përmban gjithsej 14 këngë të reja, në mesin e së cilave edhe disa bashkëpunime me artistët e njohur ndërkombtarisht si,  The Weeknd, Doja Cat dhe Ty Dolla Sign.

Klan Plus