Ditën e djeshme përmes faqes zyrtare, “Eurovizion” bëri të ditur se për shkak të situatës së krijuar në gjithë botën si pasojë e përhapjes së koronavirusit, është anuluar mbajtja e “Eurovision Song Contest 2020” këtë vit në Rotterdam.

Ky anulim parashikon që festivali i muzikës europiane të shtyhet për në vitin 2021.

Me keqardhje njoftojmë anulimin e Eurovizionit 2020 që do të mbahej në Roterdam. Gjatë javëve të fundit kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë që të mbanim Festivalin e këngës. Sidoqoftë pasiguria për shkak të përhapjes së COVID-19 nëpër Europë dhe rregullave të reja të vëna nga autoritetet e vendeve pjesëmarrëse dhe autoritetet holandeze, do të thotë që EBU(Unioni i transmetuesve europianë) ka marrë vendimin e vështirë që është e pamundur të vazhdojmë me një event live, siç ishte parashikuar. Jemi krenarë që Festivali Europian i Këngës ka bashkuar audienca çdo vit, pa ndërprerje, për 64 vitet e fundit dhe ne, si edhe miliona fansat përreth botës jemi të trishtuar që nuk do të mbahet në maj. Ne do të diskutojmë mbajtjen e festivalit në vitin 2021”, shkruhej në njoftimin zyrtar.

Vendi ynë këtë vit do të përfaqësohej nga Arilena Ara, e cila pas këtij vendimi, ka reaguar përmes një postimi në Instagram. Përmes një videoje, këngëtarja tregon pak sekonda nga puna e palodhshme që është bërë gjatë një muaji për këngën “Fall from Sky”.

Këto janë disa sekonda të prera nga një muaj intensiv në LA, ndërsa punonim për “Fall from Sky”. Nuk mund të përshkruaj sa krenare dhe e lumtur jam për çdo moment, jo vetëm unë, por secili prej nesh ka dhënë për këtë këngë. Gjithë përkushtimin, pasionin, dashurinë dhe emocionin që vendosëm në të. Ky është përkufizimi im i lumturisë! Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen tuaj! Ju i jepni vlerë cdo përpjekjeje”.

Më tej, Arilena shton se asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti dhe bën thirrje që të gjithë të qëndrojnë në shtëpi

Asgjë nuk është më e rëndësishme se shëndeti juaj. Ju lutemi, qëndroni në shtëpi! Qëndroni të sigurt. Duke dërguar gjithë dashurinë time. Zoti e bekoftë secilin prej jush! /tvklan.al