Ariu Juan Carrito bëri bujë vitin e kaluar për vjedhjen e biskotave, thyerjen e kazanëve dhe urinimin publik. Ariu gjithashtu u pa shpesh tek burimet publike të ujit dhe duke luajtur me qentë vendas në Itali.

Në një faqe zyrtare të kafshëve, disa njerëz përgëzonin aftësitë e tij për të bredhur i lirë, ndërsa disa të tjerë shprehnin se ariu duhet të kapet dhe të mbahet pas hekurave.

Por historia e Juan-it tani ka marrë fund, në kodrat e rajonit të Abruzzo-s, vend ky që i pëlqente të shëtiste.

Ariu trevjeçar Marsikan u vra pasi u godit nga një makinë në qytetin Castel di Sangro të hënën pasdite, raporton Guardian.

Marco Marsilio, presidenti i rajonit, e bëri të ditur lajmin për publikun italian. Ai tha: Me dhimbje të madhe mësova lajmin për ngordhjen e Juan Carrito, ariut më të famshëm dhe më të dashur Marsikan në Abruzzo. Humbja e tij trishton jo vetëm Abruzzo-n, por gjithë botën që zbuloi Abruzzo-n dhe bukurinë e arinjve përmes videove të shumta të Carritos që kur ishte këlysh.

Juan fillimisht ishte dëbuar nga Roccaraso pasi hyri në furrën e bukës. Ai hëngri biskota të pjekura dhe më pas u fut sërish në pyll, duke lënë pas thërrime e biskotave në tabakanë metalike të furrës.

Në Mars, Juan 2-vjeçar u dërgua pas hekurave në një strehë për kafshë problematike në fshatin Palena. Pas disa përpjekjeve për të rehabilituar ariun problematik , autoritetet e liruan atë në natyrën e maleve Apenine.

Por Juan u kthye në Roccaraso pas një udhëtimi prej më shumë se 100 miljesh. Kujdestarët e parkut në Parkun Kombëtar Maiella ishin në gjendje të gjurmonin udhëtimin e ariut përmes një jake satelitore. Juan kishte kaluar 18 ditë duke ecur mes luginave të Abruzzo-s për t’u kthyer ‘në shtëpi’.

Lajmi i kthimit të tij i gëzoi të gjithë njerëzit në rrjetet sociale, por ky gëzim nuk zgjati shumë, pasi ariu që arriti të vidhte biskotat nga një furrë, u përplas me makinë dhe ngordhi.  /tvklan.al