Në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, Arjan Çani publikoi një foto që qarkullonte nëpër mediat online, të deputetit të Partisë Socialiste Ulsi Manja i ulur në kafe me Arben Krajën, kreun e sapozgjedhur të SPAK, Prokuroria e Posaçme që do të luftojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar.

Duke komentuar në studio këtë foto, analisti dhe gazetari i njohur Andi Bejtja tha se ky takim i Manjës dhe Arben Krajës nuk tingëllon mirë, por sipas tij këto janë gjëra tashmë të njohura për publikun. Vetë Bejtja shprehet skeptik për Reformën në Drejtësi.

Kurse drejtuesi i emisionit “Zonë e Lirë”, Arjan Çani është surprizuar nga perceptimi i publikut për drejtësinë e reformuar.

Çani solli në vëmendje sondazhin që u bë të enjten në emisionin “Opinion” nëse qytetarët kanë besim tek drejtësia e re, ku 74% e votave ishin negative.

Edhe Arjan Çani thotë se Reforma në Drejtësi është një lojë, të cilën e quan “supermashtrim mbretëror”.

Arjan Çani: Është normale që Ulsi Manja i PS të pijë kafe me dy njerëz të sapozgjedhur të SPAK-ut?

Andi Bejtja: Nuk tingëllon mirë, nuk është imazh i mirë, megjithatë unë kam qenë skeptik për Reformën në Drejtësi. Këto gjëra që dihen. Dhe po s’u takuan në lokal, do takohen në shtëpi s’do t’i shohësh ti.

Arjan Çani: Dje po shihja Fevzon në emision, u bë një votim live te Fevzo, mbi 7 mijë veta, më bëri përshtypje kjo gjë, mbi 7 mijë veta që votuan ‘a keni besim tek SPAK, tek drejtësia e re’. Në 7 mijë veta që ishin në votim, dhe unë e besoj atë sondazh se bëhet live, çudi e madhe, shqiptarët nuk qenkan të trashë, pra qenkan të mençur. Shqiptarët e thjeshtë që nuk janë seleksionuar, kishin votuar 26% PO, 74% JO. Pra, njerëzit e thjeshtë e kanë kuptuar që kjo ishte një lojë e paparë, një supermashtrim mbretëror. /tvklan.al