Arjan Sala është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Titulli u firmos nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi shpalli “Dëshmor i atdheut” shtetasin Arjan Fadil Sala, i cili humbi jetën në mbrojtje të kolegëve të tij gjatë rënies së zjarrit në një qendër tregtare në Tiranë. Akti heroik i shtetasit Arjan Sala bëri që komisioni ta nderojë me statusin më të lartë, me motivacionin: “Humbur jetën në përpjekje për të shpëtuar popullsinë në raste fatkeqësie”. Gjithashtu, Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” vendosi dhënien e shpërblimit financiar mujor rrethit familjar të dëshmorit, sipas certifikatës së gjendjes familjare në çastin e vdekjes së Dëshmorit të Atdheut, duke filluar nga data e shpalljes së vendimit. Certifikata e Dëshmorit të Atdheut dhe simbolit “Familje e Dëshmorit të Atdheut”, do t’i dorëzohet familjes së Dëshmorit të Atdheut Arjan Fadil Sala”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Arjan Sala, i cili punonte si roje sigurie, humbi jetën si pasojë e një zjarri të rënë pasditen e së mërkurës së shkuar në magazinën e një qendre tregtare në kryeqytet.

Trupi i tij i pajetë u gjet pas 3 ditësh nga rënia e zjarrit, që dyshohet se u shkaktua nga një masë në kabullin e neonëve. Menjëherë sapo ra zjarri, ai i fut së bashku me rojet e tjera të sigurisë dhe nxorën jashtë të gjithë punëtorët.

Pas kësaj, 32-vjeçari mori një bombol dhe tentoi të fikte zjarrin në vatrën e tij. Por flakët u përhapën me shpejtësi dhe ai nuk mundi të dalë.

Në ekspertizën paraprake thuhet se 32-vjeçari ka tentuar të dalë nga një derë e emergjencës, por besohet se është rrëzuar për shkak të errësirës dhe tymit të dendur që kishte pushtuar magazinën. Më pas flakët janë riaktivizuar dhe temperatura në brendësi arriti mbi 900 gradë.

Arjan Sala la pas bashkëshorten dhe një fëmijë të vogël./tvklan.al