Gentian Kasa u vra nga mafia kalabreze

5 goditje me pistoletë, njëra në kokë. Gentian Kasa u vra poshtë shtëpisë së tij. 45-vjeçari kishte një të shkuar të lidhur ngushtë me organizatat kriminale të kryeqytetit italian.

Shqiptari, i cili duhet të vuante dënime për trafik droge, grabitje etj, ishte gati gjysmë i lirë. Të shtunën, si çdo mbrëmje tjetër, Gentiani përshëndeti gruan në Nuovo Salario, në veri të Romës. Më pas zbriti poshtë, pa e ditur që e priste vrasësi.

Ai i afrohet dhe në një distancë prej gati 1 metri, e qëllon me 4 plumba të kalibrit 7.65, në kraharor. I fundit, plumbi i pestë, në kokë, për t’u siguruar se e kishte vrarë. Alarmin e dha bashkëshortja. “Më telefononte gjithmonë kur mbërrinte në burgun e Rebibbia. Dje nuk mori”. Ajo zbriti poshtë, për ta gjetur bashkëshortin pa jetë.

Ishte e shtunë dhe kishte kaluar ora 23:00. Kur ambulanca mbërriti në vendngjarje, për shqiptarin nuk mund të bëhej asgjë. Policia nuk ka dyshime: bëhet fjalë për larje pazaresh. Një tjetër vrasje, që do të mbetet e pazbardhur, ashtu si dhjetëra vrasje të tjera të ndodhura në Romë përgjatë viteve të fundit.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja italiane Il Giornale, Gentian Kasa, i përfshirë në dy operacione të mëdha në 2011-n dhe në 2014-n të Antimafias, u vra me urdhër të mafias kalabreze.

Firma për këtë është arma 7.65, gjysmë-automatik e kalibrit të vogël. E përdorur për të vrarë tradhtarë, spiunë ose thjeshtë kundërshtarë të bandave mafioze, 7.65 është një armë precize që mund ta godasë viktimën edhe mes qindra personave, pa plagosur njerëz të pafajshëm. Vrasja e 45-vjeçarit shqiptar, sipas hetuesve, është kryer me precizion kirurgu.

Kasa ishte pjesë e një grupi kriminal shqiptar të mirë konsoliduar në Romë, dikur korrierë të thjeshtë të ‘ndranghetistëve, të vendosur nëpër fshatrat e Romës, ndërsa tani në luftë për kontrollin e tregut të drogës. Tregu më i madh i shpërndarjes së lëndëve narkotike në qendër të Italisë, i drejtuar nga kalabro-shqiptarët.

Sipas prokurorit Nicola Gratteri një gjë është e qartë, “mafia në rritje është ajo shqiptare, e ashpër dhe aleate e ‘Ndrangheta”./tvklan.al