Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino.

Në një reagim në Facebook, Duka vlerëson kontributet që Fino ka dhënë në politikë, por njëkohësisht thekson edhe pasionin që ka patur për futbollin.

Lamtumirë i dashur Bashkim! Përtej trishtimit, që sjell çdo humbje, lajmi për largimin nga jeta të politikanit dhe njeriut publik Bashkim Fino, më ka sjelle hidhërim të veçantë. Ai përpos kontributeve të veçanta dhe të vlerësuara në politikë, ka qenë një dashamirës i veçantë i futbollit. Një personazh i veçantë i politikës, që gjithmonë nuk ka munguar të jetë i pranishëm në stadium apo për të dhënë kontributin e tij për të mirën e kësaj loje të mrekullueshme. Në këtë moment të vështirë për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Lamtumirë Bashkim, lamtumirë mik, familjar dhe dashamirës i madh i futbollit”.

Dy vite më parë, Bashkim Fino kandidoi përballë Armand Dukës në zgjedhjet për President të Federatës Shqiptare të Futbollit. /tvklan.al