Turqia dhe Italia në gjurmët e shqiptarit, West Ham në ‘Pole Position’
Armando Broja mbetet një ndër emrat më me interes në tregun e futbollistëve. Sulmuesi shqiptar po përpiqet për tu rikthyer në formën e duhur tek Chelsea, por ‘Blutë e Londrës’ nuk kanë kohë për të pritur. Për këtë fakt, trajneri, Mauricio Pochettino mund t’i tregojë derën e largimit.
Alternativat për të janë të shumta, kryesisht nga Premier League angleze që e kanë parë nga afër potencialin e 22-vjeçarit. Uest Hem është e gatshme për ta transferuar në skuadër që prej muajit janar, pasi shikon tek ai zgjidhjen e problemeve të golit.
Skuadra e David Moyes po kërkon cilësi për repartin e avancuar dhe Broja konsiderohet si i duhuri. Anglezët kanë shënuar 26 herë në 16 ndeshjet e kampionatit dhe vetëm Manchester United ka ecurinë më të dobët tek skuadrat e sipërme të tabelës.
Vlera e sulmuesit shqiptar në treg vlerësohet me 20.5 milionë Euro, shifër e konsiderueshme për Uest Ham, por që mund të jetë e detyruar për ta shpenzuar për të garantuar shërbimet e Brojës. Interes për sulmuesin ka edhe nga kampionatet e tjera jashtë Anglisë. Shumë skuadra të Superligës turke kanë kërkuar informacion për Brojën, ndërsa në gjurmët e tij gjenden edhe italianët e Torinos.
Për momentin ‘demat’ nuk kanë konkretizuar ofertën, që sipas gjasave do të ishte një huazim në merkaton e janarit për ta blerë kartonin në fundin e sezonit aktual. Zgjedhja e skuadër ku do vijoj karrierën është tepër e rëndësishme për 22-vjeçarin, pasi synon të jetë në dispozicion të trajnerit të kombëtares, Sylvinhos në Euro2024.
Klan News