“Blutë” refuzojnë ofertat nga West Ham e Real Madrid, Tuchel i premton minuta

Telenovela më e madhe e kësaj merkato vere, duket se ka transmetuar serinë e saj të fundit. Armando Broja do të qëndrojë te Çelsi në sezonin e ri. Pavarësisht interesit të lartë nga shumë klube europiane, “Blutë e Londrës” janë të bindur se 20-vjeçari ka potencial për të ndihmuar skuadrën për të fituar trofe, megjithëse hapësirat në ekip shihet si të pakta.

Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, trajneri Thomas Tuchel i ka komunikuar Brojës se është në planet e tij dhe do të jetë pjesë e skuadrës të së ardhmes.

Në gjurmët e shqiptarit gjendeshin ekipe si Napoli, West Ham dhe Real Madrid, por gjithsesi, ofertat në adresë të tij nuk i bindën drejtuesit e londinezëve për ta lënë të lirë të largohet. Ecuria fantastike në sezonin e huazimit të Southempton, ku shënoi 9 gola në të gjithë kompeticionet tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.

Broja dha kontribut mjaft të madh për “shenjtorët”, të cilët i ndihmoi për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit anglez me 6 golat e tij. Kartoni i 20-vjeçarit vlerësohet me 22 milionë Euro dhe është i aftë për të luajtur në të gjithë pozicionet e repartit të avancuar.

Klan News